Paralajmërimi u realizua: E drejta kushtetuese e boshnjakëve u dorëzua me votat e këshilltarëve të koalicionit Vakat…
Paralajmërimi u realizua: E drejta kushtetuese e boshnjakëve u dorëzua me votat e këshilltarëve të koalicionit Vakat dhe SDU komunitetit turk
Javën e kaluar është mbajtur një takim sekret me këshilltarë komunalë, i organizuar në mënyrë selektive dhe diskriminuese, pa praninë e të gjithë përfaqësuesve legjitimë të komunitetit boshnjak. Epilogu i këtij takimi u konfirmua sot në seancën e Kuvendit Komunal të Prizrenit.
Pavarësisht fjalimit publik të këshilltares së Partisë së Re Demokratike (NDS), Zikreta Aliti Karadolami, e cila paralajmëroi qartë për shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe uzurpim të pozitës së nënkryetarit të komunës që i takon komunitetit boshnjak, seanca vazhdoi dhe vendimi u miratua pa asnjë pengesë politike apo morale.
Me votat e këshilltarit Eldis Abazi nga koalicioni VAKAT dhe Džengis Saliji nga SDU, u zgjodh nënkryetari i komunës nga radhët e komunitetit turk, ndonëse kjo pozitë, sipas Kushtetutës, i takon qartazi komunitetit boshnjak. Kështu u konfirmua se marrëveshja politike e arritur prapa dyerve të mbyllura sot mori edhe vulën formale institucionale.
Edhe pse në mandatin e kaluar kryetari i komunës, Shaqir Totaj, kishte shkelur rëndë ligjet dhe Kushtetutën lidhur me këtë çështje, në mandatin aktual përgjegjësia nuk bie më vetëm mbi pushtetin ekzekutiv. Pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në dorëzimin e së drejtës kushtetuese të komunitetit boshnjak janë tash edhe këshilltarët komunalë që mandatet e tyre i kanë fituar pikërisht me votat e boshnjakëve.
Ky vendim hap çështje serioze mbi përgjegjësinë politike, legjitimitetin dhe qëllimin e përfaqësimit të komunitetit boshnjak në institucionet lokale të Prizrenit, pasi për herë të parë një e drejtë e garantuar me Kushtetutë nuk u humb në heshtje, por u dorëzua aktivisht me votat e atyre që ishin zgjedhur për ta mbrojtur.
— Dragash Info