Botë

Kosova po kthehet prapa në kohën e pasluftës për furnizimin me energji elektrike Kosova, ndonëse vend me ndër rezerva…

17.01.2026. 3 min čitanja

Kosova po kthehet prapa në kohën e pasluftës për furnizimin me energji elektrike

Kosova, ndonëse vend me ndër rezervat më të mëdha të thëngjillit në Evropë, po përballet sërish me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike, rrjet të vjetëruar dhe infrastrukturë që dështon pothuajse çdo dimër. Qytetarët dhe bizneset, prej vitesh, po jetojnë me ndërprerje të paparalajmëruara të rrymës, duke mbetur për orë të tëra pa dritë, pa ngrohje dhe pa funksionim normal të jetës së përditshme.

Sipas Selver Islamajt, nënkryetar i PBKDSH-së dhe kryetar i Degës së kësaj partie në Prizren, kjo gjendje nuk është më një “problem teknik sezonal”, por pasojë direkte e një politike energjetike të dështuar ndër dekada. Ai thekson se rastet e fundit, si ai i Ferizajt ku qyteti ka mbetur mbi pesë orë pa rrymë në ditë të ftohta dimri, janë dëshmi e qartë e realitetit në terren.

“Ministria e Ekonomisë flet për ‘mbingarkesë të sistemit’, por e vërteta është se rrjeti elektrik është i amortizuar, investimet strategjike mungojnë dhe qeveritë e njëpasnjëshme nuk kanë pasur as vizion e as guxim për ta reformuar sektorin energjetik”, ka deklaruar Islamaj.

Ai shton se përveç paqëndrueshmërisë politike, Kosova sot po përballet edhe me pasiguri energjetike. Edhe pse ekziston një marrëveshje me KEDS-in që duhet të garantojë furnizim të rregullt dhe pa ndërprerje, ajo, sipas tij, nuk po zbatohet në praktikë. “Shteti nuk po kërkon llogari, ndërsa qytetarët po e paguajnë çmimin e keqqeverisjes”, thekson Islamaj.

Mungesa e investimeve serioze në rrjetin elektrik, modernizimin e termocentraleve dhe zhvillimin e projekteve të mëdha energjetike, sipas tij, është shenjë e qartë e dështimit politik dhe mungesës së përgjegjësisë ndaj nevojave bazë të shoqërisë. Ndërkohë, bizneset dhe Dhoma e Tregtisë paralajmërojnë se furnizimi i paqëndrueshëm me energji po dëmton rëndë investimet dhe konkurrueshmërinë ekonomike të vendit.

“Më e trishtueshmja është se Kosova po kthehet në vitet e pasluftës për nga furnizimi me energji, pavarësisht burimeve të bollshme që ka dhe potencialit për energji të ripërtëritshme”, thekson Islamaj, duke shtuar se pa strategji të qartë, investime reale dhe zbatim të marrëveshjeve ekzistuese, vendi rrezikon të mbetet peng i një krize që duhej të ishte tejkaluar prej kohësh.

Ai përfundon se nevojitet urgjentisht një rishikim i thellë i politikave publike në sektorin e energjisë, në mënyrë që qytetarët të kenë një jetë normale dhe ekonomia e Kosovës të ndërtohet mbi baza të qëndrueshme.

— Dragash Info

Original Facebook objava