Manipulimi i votave mund t’i kushtojë komisionerëve deri në 5 vjet burg Ndryshimet e mëdha në numrin e votave për dis…
Manipulimi i votave mund t’i kushtojë komisionerëve deri në 5 vjet burg
Ndryshimet e mëdha në numrin e votave për disa kandidatë për deputetë, të evidentuara gjatë procesit të rinumërimit, sipas juristëve përbëjnë bazë serioze për ndërhyrje të Prokurorisë së Shtetit.
Sipas tyre, dallimet që arrijnë në qindra apo mijëra vota nuk mund të justifikohen me “gabime njerëzore” apo teknike, por ngrenë dyshime të arsyeshme për kryerjen e veprës penale “falsifikim i rezultateve të votimit”.
Procesi i rinumërimit të votave ka nxjerrë në pah mospërputhje të konsiderueshme mes rezultateve të shpallura fillimisht në Qendrat Komunale të Numërimit dhe atyre të verifikuara më pas. Në disa raste, ndryshimet kanë qenë minimale, por në raste të tjera ato kanë shkuar në dhjetëra, qindra, madje edhe mijëra vota për kandidatë të caktuar brenda partive politike.
Avokati Arbër Jashari thekson se, ndonëse një hapësirë e vogël për gabime njerëzore është e mundshme në çdo proces numërimi, rinumërimi po dëshmon se në raste të caktuara nuk bëhet fjalë për gabime të rastësishme.
“Kur dallimet janë kaq të mëdha, bëhet e qartë se ekziston një tendencë e manipulimit të rezultateve të votimit në favor të kandidatëve të caktuar për deputetë”, ka deklaruar Jashari.
Edhe avokati Visar Rrecaj vlerëson se rastet me dallime trefishore dhe katërshifrore duhet të hetohen pa vonesë nga organet e drejtësisë.
“Gabimi njerëzor mund të jetë me një, dy apo edhe dhjetë vota. Por kur një kandidat del plus ose minus 1.900 vota, aty nuk ka më gabim – aty ka vjedhje dhe vepër penale. Prokuroria është dashur të reagojë menjëherë”, ka thënë Rrecaj.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, neni 216 parasheh dënim me burgim prej një deri në tre vjet për falsifikim të rezultateve të votimit, ndërsa në rastet e rënda dënimi mund të shkojë nga tri deri në pesë vjet burgim.
“Bëhet fjalë për deformim të drejtpërdrejtë të vullnetit qytetar. Për këto raste, gjykata nuk duhet të tregojë mëshirë”, ka theksuar Rrecaj.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve dhe dyshimeve të ngritura publikisht, deri më tani Prokuroria e Shtetit nuk ka njoftuar për hapjen e ndonjë rasti apo për nisjen e hetimeve lidhur me manipulimin e mundshëm të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
— Dragash Info