🗳️ PDK: Vota e qytetarëve është e shenjtë, çdo cenim i saj është i papranueshëm Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka…
🗳️ PDK: Vota e qytetarëve është e shenjtë, çdo cenim i saj është i papranueshëm
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka njoftuar se po e përcjell me vëmendje të shtuar procesin e rinumërimit të votave, pas mospërputhjeve të evidentuara në disa komuna të Kosovës.
Përmes një komunikate për media, PDK ka theksuar se çdo indikacion për cenim apo manipulim të votës është i papranueshëm, duke rikujtuar se vota e qytetarëve përbën themelin e demokracisë dhe duhet të trajtohet me respekt maksimal.
“Vota e qytetarëve është e shenjtë dhe çdo trajtim jokorrekt ose përpjekje për manipulim shkel parimet demokratike që ne mbrojmë”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Ky subjekt politik ka nënvizuar se çdo votë duhet të trajtohet me të njëjtin standard dhe kujdes, që nga momenti i hedhjes së saj e deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve zgjedhore.
Sipas PDK-së, eliminimi i çdo dyshimi është në interes të përbashkët të kandidatëve, institucioneve dhe qytetarëve, duke kontribuar në ruajtjen e besimit publik në procesin zgjedhor.
Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se po i pret konkluzionet zyrtare të organeve përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me besimin se vullneti i qytetarëve do të reflektohet saktë dhe në përputhje të plotë me ligjin.
Në fund, PDK ka rikonfirmuar përkushtimin e saj të palëkundur për integritetin e procesit zgjedhor dhe respektimin e votës së qytetarëve.
— Dragash Info