Nait Hasani: Refuzoj votat e manipuluara, drejtësia duhet të veprojë Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka reaguar publi…
Nait Hasani: Refuzoj votat e manipuluara, drejtësia duhet të veprojë
Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka reaguar publikisht pas procesit të rinumërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025, duke deklaruar se gjatë këtij procesi është cenuar rëndë vullneti i lirë i qytetarëve dhe është prekur drejtpërdrejt dinjiteti i tij politik dhe kombëtar.
Hasani ka bërë të ditur se gjatë rinumërimit ka vërejtur rritje të padrejtë të votave në emrin e tij, duke e cilësuar këtë si manipulim të papranueshëm zgjedhor.
“Me atë që pashë në rinumërim, votat e mia janë rritur në mënyrë të padrejtë, duke u përdorur emri im për manipulime zgjedhore. Ky veprim përbën jo vetëm shkelje ligjore, por edhe akt të rëndë moral dhe politik,” ka deklaruar Hasani.
Ai theksoi se refuzon kategorikisht çdo votë që nuk buron nga vullneti i lirë i qytetarit, duke nënvizuar se nuk ka hyrë në politikë për të fituar përmes mashtrimit.
“Nuk kam nevojë për vota të vjedhura. Respektoj votën e ndershme më shumë se çdo rezultat,” ka shtuar deputeti i PDK-së.
Hasani ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga organet e drejtësisë, duke theksuar se heshtja në raste të tilla e dëmton rëndë besimin e qytetarëve në procesin demokratik.
“Drejtësia nuk duhet të heshtë. As unë nuk do të hesht. Do të qëndroj në anën e qytetarëve, të votës së lirë dhe të së vërtetës,” është shprehur ai.
Sipas Hasanit, ky reagim nuk ka për qëllim vetëm mbrojtjen e emrit të tij, por mbrojtjen e demokracisë dhe të ardhmes institucionale të Kosovës.
— Dragash Info