Botë

Sot dorëzohen dosjet përfundimtare në Gjykatën Speciale për ish-krerët e UÇK-së Sot, në Dhomat e Specializuara të Kos…

19.01.2026. 3 min čitanja

Sot dorëzohen dosjet përfundimtare në Gjykatën Speciale për ish-krerët e UÇK-së

Sot, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, do të dorëzohen dosjet përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Dosjet do të dorëzohen nga Prokuroria Speciale, përfaqësuesi i viktimave, si dhe ekipet mbrojtëse të katër të akuzuarve, duke shënuar përfundimin formal të fazës dëshmuese dhe procedurale të gjykimit.

Pas dorëzimit të këtyre materialeve, procesi hyn në fazën e fjalëve përfundimtare, të cilat pritet të mbahen nga 9 deri më 18 shkurt. Me përfundimin e kësaj faze, gjykimi konsiderohet zyrtarisht i mbyllur.

Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, pa asnjë mundësi lirimi deri në këtë fazë të procedurës. Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare, trupi gjykues do të ketë një afat prej tre muajsh për të shpallur aktgjykimin e shkallës së parë, me mundësi shtyrjeje edhe për dy muaj shtesë.
Detaje nga procesi gjyqësor

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u arrestuan në nëntor të vitit 2020, pas konfirmimit të aktakuzës nga një gjykatës i procedurës paraprake. Prokuroria pretendon se të akuzuarit mbajnë përgjegjësi individuale për rrëmbimin, keqtrajtimin dhe vrasjen e qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime, përfshirë persona të dyshuar si bashkëpunëtorë të forcave jugosllave apo kundërshtarë politikë.

Gjatë fazës paraprake, Prokuroria i vuri në dispozicion Mbrojtjes mijëra faqe prova.

Mbrojtja zhvilloi hetimet e veta dhe ngriti kundërshtime ligjore ndaj aktakuzës dhe juridiksionit të gjykatës. Në këtë proces, janë pranuar për pjesëmarrje 155 viktima.

Nga prilli i vitit 2023 deri në prill 2025, Prokuroria thirri 125 dëshmitarë, ndërsa nga shtatori deri në nëntor 2025, ekipet mbrojtëse thirrën shtatë dëshmitarë. Të gjitha palët patën të drejtën e plotë për të pyetur dhe kundërshtuar dëshmitë e njëra-tjetrës.

Sipas ligjit, paraburgimi mund të vazhdojë vetëm nëse gjykatësit konstatojnë ekzistencën e rreziqeve konkrete. Në më shumë se 25 rishikime të paraburgimit, gjykatësit kanë vlerësuar se ekziston rrezik i pengimit të drejtësisë, përfshirë ndikimin ndaj dëshmitarëve apo hakmarrjen ndaj tyre.

Gjykata ka theksuar se paraburgimi synon parandalimin e veprave të reja penale dhe ruajtjen e integritetit të procesit gjyqësor.

Çështja e paraburgimit do të vazhdojë të rishqyrtohet çdo dy muaj.

Sa i përket transparencës, nga gjithsej 134 dëshmitarë që dhanë dëshmi në sallën e gjyqit, 61 prej tyre dëshmuan pa asnjë masë mbrojtëse. Megjithatë, procesi është kritikuar vazhdimisht për mungesë transparence të plotë.

— Dragash Info

Original Facebook objava