Botë

Shaqir Totaj shpreh zhgënjim për parregullsitë në rinumërimin e votave në Prizren, kërkon llogaridhënie dhe rivlerësi…

19.01.2026. 2 min čitanja

Shaqir Totaj shpreh zhgënjim për parregullsitë në rinumërimin e votave në Prizren, kërkon llogaridhënie dhe rivlerësim të procesit zgjedhor

Kryetari i Komunës së Prizrenit dhe njëherësh kryetar i degës së PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj, ka reaguar pas evidentimit të parregullsive gjatë procesit të rinumërimit të votave në këtë komunë, duke shprehur zhgënjim të thellë dhe shqetësim serioz për cenimin e vullnetit të qytetarëve.

Totaj ka theksuar se çdo tentim për tjetërësim të votës përbën shkelje të drejtpërdrejtë të vullnetit të lirë të qytetarëve, demokracisë zgjedhore dhe vetë demokracisë së brendshme partiake.

“Si kryetar i degës së PDK-së në Prizren do të kërkoj përgjegjësi dhe llogaridhënie të plotë, sepse çdo shkelje është përgjegjësi individuale dhe duhet trajtuar në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi. Kjo nuk është PDK-ja për të cilën kemi punuar dhe investuar me vite, dhe këto veprime nuk e përfaqësojnë frymën dhe vlerat tona”, ka deklaruar Totaj.

Ai ka siguruar qytetarët se Partia Demokratike e Kosovës do të mbrojë vullnetin e votuesit dhe demokracinë në Kosovë, duke vepruar me vendosmëri dhe përgjegjësi institucionale.

Sipas Totajt, parregullsitë e shfaqura nuk janë të izoluara vetëm në një subjekt politik, por janë evidentuar edhe te partitë e tjera, diku më shumë e diku më pak, gjë që, sipas tij, e bën të domosdoshëm një rivlerësim tërësor të procesit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe institucionet përgjegjëse.

Ai ka bërë thirrje që procesi i numërimit dhe menaxhimit të votave të trajtohet me kujdes maksimal deri në fund, në mënyrë që të ruhet mbarëvajtja, integriteti dhe paprekshmëria e zgjedhjeve.

— Dragash Info

Original Facebook objava