Botë

Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje priti në takim shefin e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX…

19.01.2026. 3 min čitanja

Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje priti në takim shefin e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)

Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, znj. Laura Pula, priti sot në takim shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), z. Giovanni Pietro Barbano, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij.

Takimi u zhvillua në ambientet e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe ishte i fokusuar në angazhimin e Prokurorit të Shtetit për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe në veprimet e ndërmarra lidhur me mospërputhjet e votave të evidentuara gjatë procesit të numërimit brenda subjekteve politike për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Gjatë takimit, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, informoi për koordinimin e vazhdueshëm ndërmjet Koordinatores Nacionale për Zgjedhje dhe prokurorive në nivel vendi, lidhur me të gjitha aktivitetet e Prokurorit të Shtetit në rastet kur është cenuar procesi zgjedhor. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse për administrimin e zgjedhjeve dhe shqyrtimin e rasteve zgjedhore.

Prokurorja Pula bëri të ditur se, pas evidentimit të mospërputhjeve të votave në disa rajone të vendit, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që, në komunat ku ka përfunduar procesi i rinumërimit, të fillojnë grumbullimin e informatave dhe sigurimin e provave relevante, me qëllim të vërtetimit të kryerjes së veprave të mundshme penale që ndërlidhen me procesin zgjedhor.

Tutje, ajo theksoi se pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërim të plotë të votave në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, Prokurori i Shtetit do të intensifikojë grumbullimin e provave në nivel vendi.

Nga ana e tij, shefi i Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), z. Giovanni Pietro Barbano, përgëzoi punën dhe angazhimin e sistemit prokurorial në mbrojtje të integritetit të procesit zgjedhor dhe të votës së qytetarëve.

— Dragash Info

Original Facebook objava