Botë

Hamza i përgjigjet Kurtit për Presidentin: Flasim, s’ka gjë të keqe, por përgjegjësia të takon ty Kryetari i Partisë…

21.01.2026. 3 min čitanja

Hamza i përgjigjet Kurtit për Presidentin: Flasim, s’ka gjë të keqe, por përgjegjësia të takon ty

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe lideri i partisë së dytë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, Bedri Hamza, ka deklaruar se është i gatshëm të takohet me kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për marrëveshje politike, por ka theksuar se përgjegjësia për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë i takon partisë së parë.

Në intervistën e tij të parë ekskluzive pas zgjedhjeve, Hamza tha se LVV i ka 57 ulëse në Kuvend dhe, bashkë me deputetët e komuniteteve joshumicë (jo serbe), i ka numrat e mjaftueshëm për të formuar Qeverinë.

“I ka 57 ulëse në Kuvend dhe e ka përgjegjësinë për ta konstituuar Kuvendin dhe për ta formuar Qeverinë. Pa vonesa duhet t’i kryejë të gjitha procedurat, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Ne do t’i votojmë nënkryetarët, sepse kemi edhe nënkryetarin nga radha e PDK-së. Për pozicionet e tjera, përgjegjësia është e tyre”, u shpreh Hamza.

I pyetur nëse PDK-ja do ta votojë kryetarin e Kuvendit, Hamza u shpreh prerë se pa marrëveshje politike nuk do ta bëjnë një gjë të tillë.

“Pse me pasë ne votë? I kanë ata votat e mjaftueshme. Pa marrëveshje politike, normalisht që nuk votojmë”, tha ai.

Hamza theksoi se PDK-ja nuk është në pritje të asnjë partie për marrëveshje, por ka qenë dhe do të mbetet bashkëpunuese për tema që janë në interes të vendit.

“Asnjëherë nuk u ikim bisedave. Nuk do të thotë se pajtohemi, por bisedave dhe takimeve asnjëherë nuk u ikim. Varet nga tema dhe mënyra e ftesës. Ftesa duhet të jetë e qartë dhe pa prapavija”, deklaroi ai.

Duke folur për zgjedhjen e Presidentit, që pritet të ndodhë brenda rreth një muaji e gjysmë, Hamza shprehu gatishmëri për të biseduar me Kurtin edhe për këtë çështje, por sërish theksoi se përgjegjësia kryesore i takon partisë së parë.

“Nuk ka kurgjo të keqe me folë, por përgjegjësia për me i ba votat i takon partisë së parë”, tha Hamza, duke kujtuar praktikat e mëhershme të zgjedhjes së presidentëve në Kosovë, ku sipas tij, gjithmonë partia që ka formuar Qeverinë ka pasur barrën kryesore për ta gjetur formulën e zgjedhjes së Presidentit.

— Dragash Info

Original Facebook objava