Botë

28 vjet nga sulmi i dytë i forcave serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz Sot shënohen 28 vjet nga sulmi i dytë i forc…

22.01.2026. 3 min čitanja

28 vjet nga sulmi i dytë i forcave serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz

Sot shënohen 28 vjet nga sulmi i dytë i forcave policore dhe ushtarake të Serbisë ndaj familjes Jashari, i ndodhur më 22 janar 1998, në Prekaz.

Në orët e hershme të mëngjesit të asaj dite, forca të shumta të policisë serbe, të pozicionuara në Fabrikën e Municionit të Gjuetisë në Skenderaj, rreth 500 metra larg lagjes Jashari, u drejtuan drejt Kullës së Jasharëve, duke e sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme.

Ky aksion represiv ndaj familjes së Shaban Jasharit erdhi plot gjashtë vjet pas sulmit të parë të regjimit serb, të realizuar më 30 dhjetor 1991, duke dëshmuar vazhdimësinë e përndjekjes sistematike ndaj kësaj familjeje simbol të rezistencës shqiptare.

Sulmi i tretë dhe më fatal ndaj familjes Jashari ndodhi vetëm një muaj e gjysmë më vonë, më 5, 6 dhe 7 mars 1998. Në atë ofensivë masive, mijëra policë dhe ushtarë serbë rrethuan Prekazin dhe kryen masakrën më të rëndë të asaj periudhe, ku u vranë 59 shqiptarë, ndër ta 20 anëtarë të familjes së Shaban Jasharit, përfshirë edhe komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.

Me rastin e kësaj date përkujtimore, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka njoftuar se sot, më 22 janar, do të mbajë homazhe në orën 10:00, në Prekaz, pranë Kompleksit Memorial të Familjes Jashari.

“Në nderim të datës 22 janar 1998, kur forcat serbe sulmuan për herë të dytë familjen Jashari në Prekaz, ngjarje kjo që shënoi një vendim historik të qëndresës, ku përballë dhunës dhe rrezikut familja zgjodhi të mos largohej nga shtëpia dhe trualli i vet, duke i treguar botës se shqiptarët nuk braktisin kurrë tokën e tyre, OVL UÇK fton familjet e dëshmorëve, bashkëluftëtarët dhe qytetarët që të marrin pjesë në homazhe”, thuhet në njoftimin e organizatës.

Kjo datë mbetet një nga momentet kyçe të historisë së rezistencës shqiptare dhe pararendëse e Epopesë së lavdishme të UÇK-së.

— Dragash Info

Original Facebook objava