Botë

Dyshimet për manipulime me vota në Prizren, kryeprokurori merr informacione shtesë nga zyrtarë kyç Kryeprokurori i Pr…

22.01.2026. 2 min čitanja

Dyshimet për manipulime me vota në Prizren, kryeprokurori merr informacione shtesë nga zyrtarë kyç

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka zhvilluar një takim zyrtar me koordinatoren nacionale për zgjedhje, Laura Pula, dhe menaxherin e projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, Besim Kusari, në kuadër të hetimeve paraprake lidhur me dyshimet për manipulime me vota në rajonin e Prizrenit.

Takimi është mbajtur në ambientet e Prokurorisë Themelore në Prizren, ndërsa temë kryesore e diskutimeve ka qenë mospërputhja e votave gjatë procesit të numërimit brenda subjekteve politike për zgjedhjet parlamentare, pas përfundimit të procesit të rinumërimit të votave në këtë rajon.

Kryeprokurori Kryeziu ka bërë të ditur se, pas evidentimit të këtyre mospërputhjeve, Prokuroria ka nisur grumbullimin e informatave dhe sigurimin e provave relevante, me qëllim të vërtetimit të mundshëm të ndonjë vepre penale që lidhet me procesin zgjedhor.

Sipas tij, hetimet janë fokusuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe në garantimin e integritetit të procesit zgjedhor, përmes angazhimit të prokurorëve të shtetit dhe vazhdimit të mbledhjes së dëshmive të nevojshme.

Gjatë takimit, palët kanë diskutuar edhe për koordinimin institucional dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve për të siguruar transparencë dhe ligjshmëri në proceset zgjedhore.

— Dragash Info

Original Facebook objava