Botë

“Shtëpia e Kosovës” në Davos i kushtoi buxhetit të shtetit 300 mijë euro Forumi Ekonomik Botëror, i mbajtur në Davos…

23.01.2026. 3 min čitanja

“Shtëpia e Kosovës” në Davos i kushtoi buxhetit të shtetit 300 mijë euro

Forumi Ekonomik Botëror, i mbajtur në Davos të Zvicrës, është përmbyllur të premten, ku pjesë e këtij organizimi prestigjioz ishte edhe Republika e Kosovës. Vetëm financimi i hapësirës së quajtur “Shtëpia e Kosovës” i ka kushtuar buxhetit të shtetit 300 mijë euro, pa përfshirë mbështetjen nga sponsorët.

Sipas raportimit të Koha.net, mjetet financiare janë ndarë nga kabineti qeveritar në nëntor të vitit të kaluar, përmes vendimeve të miratuara në mbledhjen e 277-të të Qeverisë së Kosovës.

Nga Qeveria kanë bërë të ditur se ky organizim ka pasur nevojë edhe për mbështetje shtesë financiare, e cila është siguruar përmes sponsorëve.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka deklaruar se “Shtëpia e Kosovës” ka shërbyer si platformë për promovimin e vendit në disa dimensione.

“Qeveria e Republikës së Kosovës i ka ndarë 300 mijë euro për financimin e këtij organizimi.
Pjesa tjetër e shpenzimeve është mbuluar nga sponsorët. Edhe këtë vit janë mbajtur aktivitete të shumta, veçanërisht panele diskutimi me ekspertë dhe studiues me renome ndërkombëtare në fusha si ekonomia dhe teknologjia, ndërsa Shtëpia e Kosovës ka shërbyer si hapësirë për takime me investitorë, sipërmarrës dhe liderë shtetërorë nga vende mike dhe partnere”, ka thënë Kryeziu.

Ky është viti i dytë radhazi që Kosova organizon “Shtëpinë e saj” në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ky organizim synohet të shndërrohet në traditë.

“Në njërën anë prezantojmë kulturën, identitetin dhe atë se kush jemi, ndërsa në anën tjetër prezantojmë mundësitë për investime, shkëmbime tregtare dhe bashkëpunime të ndryshme. Pra, tregojmë edhe çfarë mund të bëjmë bashkë”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, Kosova është në mesin e 25 shteteve të botës që kanë hapësira të tilla përfaqësuese në Davos.

Gjatë ditës së fundit të forumit, Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Kurti është takuar edhe me Jonathan Powell, këshilltar për Siguri Kombëtare i Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer. Në takim janë diskutuar zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të kaluar, planet për mandatin e ardhshëm qeverisës, progresi demokratik, rritja ekonomike dhe çështjet e sigurisë rajonale.

Forumi Ekonomik Botëror në Davos ka nisur të hënën, ndërsa në kuadër të tij është formalizuar edhe “Bordi i Paqes”, një mekanizëm i themeluar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ku Kosova është një nga anëtaret themeluese.

— Dragash Info

Original Facebook objava