Aksion për manipulim votash në Prizren – arrestohet një komisioner i partisë së Emilja Rexhepit Policia e Kosovës, në…
Aksion për manipulim votash në Prizren – arrestohet një komisioner i partisë së Emilja Rexhepit
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, është duke zhvilluar një aksion në rajonin e Prizrenit, në kuadër të hetimeve për dyshime për keqpërdorim dhe manipulim të votave.
Si rezultat i këtij operacioni, një person është arrestuar, i dyshuar për përfshirje në manipulim të votave.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Express edhe avokati i të dyshuarit, Blend Gjini, i cili ka bërë të ditur se klienti i tij është komisioner i partisë Nova Demokratska Stranka (NDS), parti e udhëhequr nga Emilja Rexhepi.
Gjini ka deklaruar se arrestimi është i pabazë dhe e ka cilësuar atë si të paligjshëm.
“Klienti im është arrestuar nën dyshimet për manipulim të votave, por nuk ekziston asnjë provë që e lidh atë me këtë vepër penale. Është e çuditshme mënyra se si është kërkuar menjëherë dorëzimi i telefonit. Megjithatë, ai e ka dorëzuar telefonin vullnetarisht dhe më pas është arrestuar. Sipas vlerësimit tim profesional, arrestimi është i paligjshëm”, ka deklaruar Gjini.
Nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prizren ende nuk ka një deklaratë zyrtare lidhur me detajet e aksionit dhe provat mbi të cilat është bazuar arrestimi.
Media do të vazhdojnë të përcjellin zhvillimet e reja rreth këtij rasti.
— Dragash Info