Projektet mbesin në buxhet, jo në lumenj – përmbytjet përsëriten, zbatimi mungon Pavarësisht hartave të rrezikut, pla…
Projektet mbesin në buxhet, jo në lumenj – përmbytjet përsëriten, zbatimi mungon
Pavarësisht hartave të rrezikut, planeve shumëvjeçare dhe dhjetëra milionë eurove të planifikuara në buxhet, ndryshimi në terren mbetet minimal. Sa herë që reshjet e shiut intensifikohen, Kosova përballet me të njëjtin skenar: lumenjtë dalin nga shtrati, rrugët bllokohen, shtëpitë përmbyten, bizneset pësojnë dëme dhe tokat bujqësore shkatërrohen.
Edhe pse buxhetet shtetërore parashohin projekte për rregullimin e shtretërve të lumenjve dhe ndërtimin e digave mbrojtëse, shumë prej tyre mbeten vetëm në letra, duke bërë që cikli i përmbytjeve të përsëritet pothuajse çdo vit.
Në fillim të këtij viti, disa komuna u përfshinë nga vërshimet. Fushë-Kosova, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica e Jugut, Vushtrria, Drenasi, Skenderaj, Gjakova dhe Lipjani ishin ndër zonat më të prekura. Të njëjtat komuna kishin përjetuar përmbytje edhe në vitet 2021 dhe 2023, dëmet e të cilave – në vlerë prej miliona eurosh – vazhdojnë ende të kompensohen.
Ekspertët: Problemi është keqmenaxhimi, jo vetëm natyra
Eksperti i ujërave, Skender Bublaku, profesor në një kolegj privat në Kosovë, thotë se problemi kryesor mbetet mosmenaxhimi sistematik i lumenjve.
“Kur problemet përsëriten çdo vit, kjo nuk ka të bëjë me fatkeqësi natyrore, por me dështim të paralajmërimit dhe mungesë të masave parandaluese”, ka thënë Bublaku për Radion Evropa e Lirë.
Ai thekson se identifikimi i zonave të rrezikut nuk mjafton, nëse nuk shoqërohet me trajtim të lumenjve në tërësi dhe jo vetëm në segmente të izoluara.
“Nëse mjetet që shkojnë çdo vit për kompensimin e dëmeve do të orientoheshin drejt rregullimit të lumenjve, brenda dhjetë vjetësh vërshimet do të minimizoheshin”, shton ai.
Një problem shtesë, sipas ekspertëve, është edhe shkatërrimi i shtretërve të lumenjve nga nxjerrja e zhavorrit, duke e rritur rrezikun nga përmbytjet.
Institucionet flasin për menaxhim rreziku
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se institucionet kanë kaluar nga reagimi emergjent në menaxhim të rrezikut.
Sipas tij, në Kosovë janë identifikuar 398 zona me rrezik nga përmbytjet:
108 zona me rrezik ekstrem
95 me rrezik shumë të lartë
195 me rrezik të lartë
Këto zona përfshijnë rreth 341 mijë banorë, mbi 58 mijë familje, dhjetëra objekte kulturore, zona të mbrojtura dhe 538 zona me rëndësi ekonomike. Po ashtu, rreth 491 kilometra lumenj konsiderohen segmente të ekspozuara ndaj përmbytjeve të shpeshta.
Plane ka, zbatim pak
Sipas raportit “Mjedisi i Evropës 2025”, përmbytjet e vitit 2023 shkaktuan dëme prej 3.75 milionë eurosh vetëm në familje.
Në buxhetin e vitit 2025 janë paraparë dhjetëra projekte për ndërtim digash, rregullim të shtretërve të lumenjve dhe përmirësim të infrastrukturës së ujërave, me synim uljen e rrezikut nga vërshimet deri në 60 për qind.
Megjithatë, raporti financiar nëntëmujor i Ministrisë së Financave tregon se shumë projekte nuk kanë nisur fare, ndërsa disa janë realizuar pjesërisht. Për shembull, projekti për rregullimin e shtratit të lumit në Shtime ka shënuar 83 për qind progres, ndërsa projekti për furnizim të qëndrueshëm me ujë vetëm 12 për qind.
Kryetari i Kaçanikut, Sabedin Vishi, ka konfirmuar se projekti për rregullimin e lumit Nerodime nuk ka nisur, ndonëse për vitin 2025 ishin paraparë 1.5 milion euro.
Edhe në Podujevë, projekti për lumin Llap ende nuk ka filluar, ndonëse ndërhyrjet e viteve të fundit kanë ndihmuar në shmangien e përmbytjeve të fundit.
Teknologjia nuk e zëvendëson veprimin
Megjithëse janë ngritur dhjetëra stacione meteorologjike dhe hidrometrike për monitorim, ekspertët paralajmërojnë se teknologjia nuk mjafton pa investime reale në terren.
“Ura nuk guxon të përmbytet. Ky është problem serioz”, paralajmëron Bublaku.
Gjatë vërshimeve të fundit, në komunën e Lipjanit u përmbytën dy ura – një sinjal i qartë se, përderisa projektet mbesin në buxhet e jo në lumenj, rreziku mbetet real dhe i përsëritur.
— Dragash Info