Prej fajdeve, degradimit të mjedisit, BKS e deri te manipulimi i votave – hetimet intensive të Prokurorisë së Prizren…
Prej fajdeve, degradimit të mjedisit, BKS e deri te manipulimi i votave – hetimet intensive të
Prokurorisë së Prizrenit brenda pak muajsh
Prokuroria Themelore në Prizren është shndërruar në një nga institucionet më të përfolura në Kosovë gjatë muajve të fundit, si rezultat i aksioneve të shumta, hetimeve të thelluara, arrestimeve dhe ngritjes së aktakuzave për raste të rënda penale.
Në fokus të punës së saj kanë qenë disa prej dukurive më problematike në vend, duke nisur nga fajdet, degradimi i mjedisit, korrupsioni në institucionet publike, e deri te manipulimi i votës.
Gjatë kësaj periudhe, Prokuroria e Prizrenit ka hetuar dhe ngritur aktakuza në disa raste të fajdeve – një nga krimet më të rënda ekonomike dhe sociale në Kosovë.
Një tjetër aksion i rëndësishëm ishte ai ndaj kompanive që për vite me radhë kanë degraduar mjedisin në lumin Drini i Bardhë.
Kryeprokurori Petrit Kryeziu kishte deklaruar se hetimet kanë zbuluar veprimtari të kundërligjshme që nga viti 2016, ku operatorë ekonomikë kishin nxjerrë rërë dhe zhavorr pa licenca përkatëse.
“Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar 17 persona dhe janë sekuestruar 38 mjete pune, me vlerë rreth 2 milionë euro. Janë përdorur edhe materiale filmike të siguruara ditën dhe natën, të cilat do të shërbejnë si prova kyçe në procedurat penale,” kishte deklaruar Kryeziu.
Aksioni ishte shtrirë në disa zona të rajonit të Prizrenit, nga Krusha e Vogël deri në Landovicë.
Më pas, Prokuroria e Prizrenit realizoi një nga operacionet më të mëdha kundër korrupsionit në Kosovë, lidhur me keqpërdorimet në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS). Në këtë rast u arrestuan dy ish-udhëheqës të këtij institucioni, Sami Mazreku dhe Valon Berisha.
Sipas Kryeziut, hetimet kishin nisur në mars të vitit 2025 dhe kulmuan me bastisje në 47 lokacione, ku u zbuluan qindra transaksione të dyshimta dhe dokumente të falsifikuara. Dëmi i shkaktuar BKS-së kap vlerën mbi 1 milion euro, ndërsa janë bllokuar mbi 1.3 milionë euro pasuri.
Në këtë operacion ishin të përfshirë rreth 400 zyrtarë policorë dhe 8 prokurorë, ndërsa disa të dyshuar ndodhen jashtë vendit dhe hetimet pritet të vazhdojnë.
Së fundmi, Prokuroria e Prizrenit ka ndërmarrë një aksion masiv kundër manipulimit të votave, duke ndaluar mbi 100 persona të dyshuar për dallavere zgjedhore.
Kryeprokurori Kryeziu ka deklaruar se bëhet fjalë për manipulime serioze, që përfshijnë dhjetëra mijëra vota, përfshirë ryshfet, presione dhe falsifikim të rezultateve zgjedhore.
“Sot janë lëshuar 109 vendime për ndalim për vepra penale që lidhen me falsifikimin e rezultateve zgjedhore, kanosje, presion dhe dhënie e marrje ryshfeti. Kushdo që prek vullnetin e qytetarëve do të ballafaqohet me forcën e ligjit,” ka theksuar Kryeziu.
Ai ka shtuar se Prokuroria do të vazhdojë hetimet dhe nuk përjashtohet mundësia që edhe kandidatë për deputetë të intervistohen, varësisht nga provat që do të sigurohen gjatë procedurës.
Zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë paralajmëruar se aksioni për manipulimin e votave do të zgjerohet dhe priten arrestime të tjera në ditët në vijim.
— Dragash Info