Pamje të rralla nga brendësia e Fabrikës së Municionit të ish-ndërmarrjes “Trepça” në Skenderaj Pamje të rralla kanë…
Pamje të rralla nga brendësia e Fabrikës së Municionit të ish-ndërmarrjes “Trepça” në Skenderaj
Pamje të rralla kanë dalë nga brendësia e Fabrikës së Municionit të ish-ndërmarrjes “Trepça” në Skenderaj, një objekt me rëndësi të veçantë historike dhe strategjike, i ndërtuar dhe funksional gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë.
Sipas pamjeve të siguruara, brenda objektit ende gjenden pajisje dhe makineri të prodhimit, ndërsa në disa hapësira shihen edhe fishekë dhe sasi baroti, çka dëshmon për kapacitetet reale që kjo fabrikë ka pasur dikur.
Kjo fabrikë ka qenë pjesë e industrisë ushtarake të ish-Jugosllavisë, ndërsa sot, në rrethana të reja politike dhe shtetërore, ajo paraqet një potencial serioz që kërkon vëmendje të veçantë nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Njohës të fushës vlerësojnë se me investime të duhura dhe menaxhim profesional, fabrika mund të rifunksionalizohet, duke kontribuar drejtpërdrejt në rritjen ekonomike, hapjen e vendeve të reja të punës, si dhe në forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes së vendit.
Rifunksionalizimi i kësaj fabrike do të ishte një hap strategjik për shtetin e Kosovës, veçanërisht në kontekstin e zhvillimeve të sigurisë dhe nevojës për pavarësi industriale në sektorin e mbrojtjes.
— Dragash Info







