Shërbimi Korrektues i Kosovës: Ka kapacitete të lira, pretendimet për mungesë hapësire nuk qëndrojnë Pas informacione…
Shërbimi Korrektues i Kosovës: Ka kapacitete të lira, pretendimet për mungesë hapësire nuk qëndrojnë
Pas informacioneve që kanë qarkulluar në disa media lidhur me mungesën e kapaciteteve në institucionet korrektuese, Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka njoftuar opinionin publik se aktualisht në institucionet korrektuese të Kosovës janë në mbajtje gjithsej 1.758 të burgosur.
Sipas njoftimit zyrtar, SHKK ka kapacitete të lira rreth 800 shtretër, duke theksuar se pretendimet për mungesë kapacitetesh nuk qëndrojnë dhe se institucionet korrektuese kanë hapësira të mjaftueshme për pranimin e rasteve të reja.
Ky sqarim, sipas SHKK-së, bëhet me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik dhe parandalimit të keqinformimit lidhur me gjendjen reale në institucionet korrektuese.
Po ashtu, bëhet e ditur se Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Policia e Republikës së Kosovës kanë të nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi për bashkëveprim institucional, në kuadër të së cilës, varësisht nga situatat e krijuara, mund të shfrytëzohen përkohësisht edhe objektet e njëra-tjetrës.
— Dragash Info