Botë

Ambasada Zvicerane: Që nga viti 2018 mbështesim aktivitetet informuese të Dhomave të Specializuara Ambasada e Zvicrës…

24.01.2026. 2 min čitanja

Ambasada Zvicerane: Që nga viti 2018 mbështesim aktivitetet informuese të Dhomave të Specializuara

Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka reaguar publikisht lidhur me ligjëratën e mbajtur nga përfaqësues të Dhomave të Specializuara të Kosovës (Gjykata Speciale) në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë.

Përmes një komunikate zyrtare, Ambasada ka sqaruar se aktivitete të tilla informuese dhe ndërgjegjësuese mbahen me mbështetjen e saj që nga viti 2018, me qëllim të informimit të publikut për mandatin dhe funksionimin e Dhomave të Specializuara.

Sipas Ambasadës, përmes Zyrës së Ndërgjegjësimit, Dhomat e Specializuara angazhohen me palë të ndryshme të interesit për të shpërndarë informacione publike lidhur me punën dhe mandatin e tyre, për të dëgjuar perspektivat e qytetarëve dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve, pa promovuar narrativa apo qëndrime specifike.

“Qëllimi i këtyre aktiviteteve është informimi dhe ndërgjegjësimi i publikut, duke u bazuar vetëm në informacione të disponueshme publikisht”, thuhet në komunikatën e publikuar nga Ambasada Zvicerane në faqen e saj zyrtare në Facebook.

Ndërkohë, ditë më parë janë publikuar raportime se përfaqësues të Dhomave të Specializuara kanë mbajtur ligjërata në disa shkolla të mesme në Kosovë, pa paralajmërim dhe pa njoftim zyrtar publik. Këto raportime u mbështetën edhe nga një fotografi e shpërndarë në rrjete sociale, ku nxënësve u kërkohej të vlerësonin ligjëratën e mbajtur.

Në një nga dokumentet e vlerësimit, i cili mban burimin e Dhomave të Specializuara, një nxënës ka shënuar mesazhin “Free Hashim Thaçi” (Liri për Hashim Thaçin), duke nxitur reagime dhe debat publik rreth përmbajtjes dhe mënyrës së organizimit të këtyre ligjëratave në institucionet arsimore.

— Dragash Info

Original Facebook objava