Kërkohet paraburgim për 11 persona të dyshuar për manipulim të votave në Prizren Gjykata Themelore në Prizren ka njof…
Kërkohet paraburgim për 11 persona të dyshuar për manipulim të votave në Prizren
Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se deri më tani ka pranuar katër kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 11 personave, nga gjithsej 109 të arrestuarit në aksionin për dyshime për manipulim të votave në Komunën e Prizrenit.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj, i cili ka bërë të ditur se gjykata është ende në pritje të kërkesave të tjera nga Prokuroria Themelore në Prizren.
“Ju njoftoj se deri në këto momente Gjykata Themelore në Prizren ka pranuar katër kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 11 personave. Në orën 14:00 është caktuar një seancë dëgjimore, ndërsa në orën 15:00 është caktuar seanca e radhës. Jemi ende në pritje të pranimit të kërkesave nga Prokuroria Themelore në Prizren”, ka deklaruar Lekaj.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë lidhur me veprat penale konkrete apo identitetin e të dyshuarve, ndërsa pritet që gjatë ditës të ketë zhvillime të reja lidhur me masat e sigurisë ndaj të arrestuarve.
— Dragash Info