Botë

Skandal energjetik: KESCO anuloi tenderin dhe zgjodhi import mbi 1000% më të shtrenjtë, Shqipëria ofroi energji 12 fi…

24.01.2026. 4 min čitanja

Skandal energjetik: KESCO anuloi tenderin dhe zgjodhi import mbi 1000% më të shtrenjtë, Shqipëria ofroi energji 12 fish më lirë

Menaxhimi i furnizimit me energji elektrike për vitin 2026 nga kompania KESCO po shoqërohet me zhvillime serioze dhe të dyshimta, të cilat ngrenë pikëpyetje të mëdha mbi transparencën, arsyetimin financiar dhe interesin publik.

Sipas informacioneve të publikuara nga Demokracia.com, në fillim të vitit 2026 KESCO kishte hapur një tender për import të energjisë elektrike me vlerë rreth 150 milionë euro.

Struktura e kontratës dhe mekanizmi i menaxhimit të rrezikut (hedging) e ekspozonin kompaninë me rreth 15 milionë euro, ndërkohë që oferta konsiderohej e favorshme dhe potencialisht ulte ndjeshëm koston e furnizimit për vitin 2026.

Megjithatë, ky tender u anulua pa asnjë arsyetim publik, pa sqarime të detajuara dhe pa një analizë të prezantuar për Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Pas anulimit, KESCO shpalli një procedurë të re, ku kontrata iu dha kompanisë ETMT nga Maqedonia e Veriut, e lidhur si partnere tregtare me EFT Serbia dhe grupin METLEN (ish-Mytilineos). Sipas vlerësimeve, çmimi i energjisë nga kjo kontratë rezulton dukshëm më i lartë, me një diferencë që përkthehet në miliona euro kosto shtesë për vitin 2026.

Në të njëjtën periudhë, media ndërkombëtare si Montel News, duke iu referuar burimeve zyrtare, raportuan se KOSTT ka kërkuar masa për kufizimin e ngarkesës në rrjet, për shkak të problemeve serioze në balancimin ndërmjet prodhimit vendor dhe kërkesës reale për energji.

Sipas këtyre raportimeve, devijimet në nominime kanë rezultuar me mungesë të energjisë deri në 25% nën nevojat reale, me diferenca orare që në disa raste kanë kaluar 260 MWh, duke rrezikuar drejtpërdrejt stabilitetin dhe sigurinë e sistemit energjetik në Kosovë.

Gjendja është përkeqësuar edhe më tej nga dalja jashtë funksionit e dy njësive prodhuese me qymyr, me kapacitet të kombinuar rreth 539 megavat, duke ulur ndjeshëm kapacitetin operativ vendor. Furnizimi me qymyr dhe mirëmbajtja e termocentraleve vazhdojnë të mbeten faktorë kritikë.

Në kontrast të plotë me këto zhvillime, të dhënat zyrtare të publikuara nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) tregojnë se gjatë periudhës 12–18 janar 2026, energjia elektrike në Shqipëri është shitur me çmime nga 20 deri në 22 euro për megavat-orë.

Ndërkohë, importet e energjisë për Kosovën gjatë kësaj periudhe janë realizuar përmes tregjeve ndërkombëtare si HUPX (Hungari) dhe GME (Itali), me çmime mesatare që sipas raportimeve kanë arritur deri në 250 euro për megavat-orë – mbi 12 herë më shtrenjtë sesa çmimet rajonale.

Aktualisht, mbi 90% e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga dy termocentrale të vjetra me qymyr, me kapacitet operativ rreth 1.1 gigavat. Çdo devijim në menaxhimin e importit apo ndërprerje në furnizimin me qymyr e bën sistemin jashtëzakonisht të ndjeshëm dhe rrit varësinë nga tregjet e jashtme me çmime të larta.

Në mungesë të sqarimeve zyrtare nga KESCO dhe institucionet përgjegjëse, mbetet e paqartë pse u injoruan ofertat më të favorshme të tregut rajonal, përfshirë Shqipërinë, dhe pse vendimet u morën pa transparencë të plotë.

Demokracia.com i ka drejtuar pyetje zyrtare KESCO-s lidhur me:

arsyet konkrete të anulimit të tenderit fillestar prej 150 milionë euro,
mungesën e një analize të publikuar të kostos dhe rrezikut financiar,
orientimin drejt importeve me çmime mesatare rreth 250 euro/MWh,
dhe nëse ekziston ndonjë analizë krahasuese që justifikon këtë diferencë ekstreme çmimi në dëm të konsumatorëve në Kosovë.

Deri në përgjigje zyrtare, ky rast mbetet një nga skandalet më serioze energjetike, me pasoja të drejtpërdrejta financiare për qytetarët dhe stabilitetin e sistemit energjetik të vendit.

— Dragash Info

Original Facebook objava