Pa Kuvend, pa ligje: BE paralajmëron Kosovën se po kalojnë afatet për fondet prej rreth 900 milionë euro Kosova rrezi…
Pa Kuvend, pa ligje: BE paralajmëron Kosovën se po kalojnë afatet për fondet prej rreth 900 milionë euro
Kosova rrezikon të humbasë përfitime të konsiderueshme financiare nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor i Bashkimit Evropian, për shkak të mungesës së një Kuvendi funksional dhe vonesave në miratimin e ligjeve reformuese.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, Kosova kishte 33 reforma si kushte për të përfituar fonde nga ky plan, shumica e të cilave kishin afat për përmbushje deri në fund të qershorit ose dhjetorit 2025. Mirëpo, një pjesë e madhe e këtyre kushteve kanë mbetur pezull, për shkak se kërkonin miratim dhe hyrje në fuqi të ligjeve në Kuvend.
Në mesin e ligjeve të papërfunduara janë: Kodi Civil, Ligji për institucionet mikrofinanciare dhe jo-bankare, Ligji për bankrotimin, paketa e ligjeve për barrën administrative, si dhe ligjet për energjinë dhe Rregullatorin e Energjisë, të cilat synojnë harmonizimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Megjithatë, disa kushte që nuk varen nga Kuvendi janë përmbushur, përfshirë ri-anëtarësimin e plotë në ENQA (Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsim), si dhe vendosjen graduale të regjimit të vizave për shtete ndaj të cilave BE-ja aplikon masa të tilla.
Afate shtesë, por kohë e kufizuar
Plani i Rritjes parasheh një “greis periudhë” prej një viti, deri në qershor 2026, për reformat që kishin afat fillestar deri në qershor 2025.
Fondet për këto reforma humben përfundimisht vetëm nëse nuk përmbushen deri në fund të kësaj periudhe.
Megjithatë, një afat i tillë shtesë nuk vlen për reformat që kishin afat dhjetorin 2025, çka e bën situatën edhe më urgjente.
Pavarësisht deklaratave të disa zyrtarëve qeveritarë se një pjesë e fondeve tashmë janë humbur, Bashkimi Evropian ka konfirmuar se Kosova ende mbetet e kualifikuar për të përfituar deri në 882 milionë euro.
“Kosova ishte ndër partnerët e parë nga Ballkani Perëndimor që miratoi Agjendën e Reformave të kërkuar nga Plani i Rritjes, e cila u miratua nga Komisioni Evropian në tetor 2024. Prandaj, Kosova mbetet e kualifikuar për të përfituar deri në 882 milionë euro, në varësi të hyrjes në fuqi të marrëveshjeve për reformë dhe rritje, si dhe përmbushjes së kushteve të pagesës”, thuhet në përgjigjen e BE-së për TV Dukagjini.
BE-ja ka paralajmëruar se vonesat në formimin e institucioneve po prodhojnë efekt negativ, pasi pa ratifikimin e marrëveshjeve në Kuvend, Kosova nuk mund të aplikojë për pagesa.
Kosova i ka nënshkruar marrëveshjet e dala nga Plani i Rritjes në fund të vitit 2024, por dy legjislatura radhazi, e teta dhe e nënta, kanë dështuar t’i ratifikojnë, duke bllokuar kështu qasjen në grantet dhe kreditë afatgjata me interes të ulët.
— Dragash Info