Botë

Emilija Rexhepi akuzon PDK-në për fushatë linçuese: Po më sulmojnë për të fshehur vjedhjen masive të votave në Prizre…

25.01.2026. 3 min čitanja

Emilija Rexhepi akuzon PDK-në për fushatë linçuese: Po më sulmojnë për të fshehur vjedhjen masive të votave në Prizren

Pas raportimeve lidhur me arrestimin e një komisioneri zgjedhor në Prizren, në kuadër të aksionit për manipulim votash, ka reaguar kryetarja e NDS-së, Emilija Rexhepi, e cila ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje në këtë çështje.

Në një deklaratë për Gazetën Infokus, Rexhepi ka kritikuar ashpër, siç i ka quajtur ajo, “publikimet tendencioze dhe të papërgjegjshme” të disa mediave, duke theksuar se emri dhe fotografia e saj janë përdorur pa asnjë provë dhe pa konfirmim institucional.

“Bëhet fjalë për një fushatë të qëllimshme politiko-mediatike nga ana e PDK-së, me synim të vetëm diskreditimin tim personal dhe zhvendosjen e përgjegjësisë për manipulimet masive zgjedhore nga autorët e vërtetë tek unë”, ka deklaruar Rexhepi.

Ajo e ka cilësuar publikimin e fotografisë së saj si shkelje flagrante të etikës mediatike, duke shtuar se mediat, sipas saj, kanë anashkaluar thelbin e problemit dhe janë fokusuar në mënyrë selektive tek një komisioner boshnjak, ndonëse, siç ka theksuar ajo, rreth 100 komisionerë të përkatësisë shqiptare janë arrestuar për manipulime zgjedhore.

“Me vetëdije janë injoruar dhjetëra komisionerë të lidhur me PDK-në që kanë shtuar vota për kandidatët e tyre. Nuk janë publikuar fotografitë e kandidatëve të PDK-së dhe as të Shaqir Totajt, ndonëse Bedri Hamza e ka identifikuar publikisht atë si përgjegjës për manipulimet në Prizren”, ka theksuar Rexhepi.

Sipas saj, nuk janë trajtuar as rastet e rritjes së paligjshme të votave për zyrtarë të lartë lokalë, përfshirë nënkryetarin e Komunës së Prizrenit, drejtoreshën e Arsimit dhe kandidatë të tjerë të PDK-së.

Rexhepi ka deklaruar se gjatë gjashtë viteve të angazhimit të saj institucional nuk ekziston asnjë njollë apo keqpërdorim, duke nënvizuar se është individualisht më e votuara ndër subjektet politike boshnjake dhe se nuk ka asnjë votë të vjedhur.

Ajo ka kërkuar që përgjegjësia për manipulimin e votave të jetë individuale dhe ka bërë thirrje që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të sanksionojë të gjithë kandidatët që kanë përfituar vota fiktive, përfshirë anulimin e votave dhe kandidaturave.

Në fund, Rexhepi ka paralajmëruar veprime ligjore ndaj çdo shpifjeje të mëtejme.

“Nuk do të hesht derisa emri im të përdoret si perde tymi për veprimet kriminale të të tjerëve. Çdo përpjekje e mëtejme për shpifje pa prova do ta konsideroj sulm të vetëdijshëm politik”, ka përfunduar ajo.

— Dragash Info

Original Facebook objava