Avokatët optimistë për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së Njohës të çështjeve të drejtësisë dhe avokatë të angazhuar në…
Avokatët optimistë për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së
Njohës të çështjeve të drejtësisë dhe avokatë të angazhuar në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po shprehen optimistë për një vendim lirues, teksa Gjykata Speciale në Hagë ka pranuar dosjet përfundimtare nga Prokuroria, avokati i viktimave dhe ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sipas procedurave gjyqësore, deklaratat përfundimtare të palëve pritet të mbahen nga 9 deri më 18 shkurt. Me përfundimin e tyre, procesi gjyqësor konsiderohet zyrtarisht i mbyllur. Katër të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
Avokati Ardian Bajraktari ka deklaruar se kjo fazë është vendimtare për epilogun e procesit, duke theksuar se dëshmitë e paraqitura nga mbrojtja kanë qenë të besueshme dhe relevante.
Ai ka theksuar se gjatë shqyrtimit gjyqësor është dëshmuar mungesa e një strukture të mirëfilltë komanduese dhe e kontrollit efektiv brenda UÇK-së, elemente këto thelbësore për konstatimin e përgjegjësisë komanduese.
“Dëshmitarët e mbrojtjes kanë qenë jashtëzakonisht të përgatitur dhe kanë kontribuar në zbardhjen e së vërtetës. Është vërtetuar ajo që dihej që nga fillimi – se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka pasur hierarki të centralizuar komanduese dhe nuk ka pasur mundësi për ushtrim efektiv të kontrollit,” ka deklaruar Bajraktari.
Sipas tij, Prokuroria nuk ka arritur t’i argumentojë pretendimet e saj, ndërsa dokumentet dhe raportet ndërkombëtare, përfshirë ato të administratës amerikane, kanë rrëzuar tezat e aktakuzës.
Bajraktari ka përmendur gjithashtu shkelje serioze gjatë procesit, përfshirë mungesë transparence, përdorim të provave jokredibile, qasje jo të balancuar nga trupi gjykues dhe zgjatje të pajustifikuar të paraburgimit.
“Në bindjen time, ky proces ka qenë i stërzgjatur dhe i shoqëruar me shkelje të vazhdueshme, por megjithatë jam optimist se vendimi do të jetë lirues dhe do të rikonfirmojë se UÇK-ja nuk ka kryer krime,” tha ai, duke shtuar se epilogu në shkallë të parë mund të pritet nga qershori ose korriku i këtij viti.
Ndërkohë, avokati Arbër Jashari u shpreh më i rezervuar në parashikime, por theksoi se, sipas tij, asnjë pikë e aktakuzës nuk është vërtetuar gjatë shqyrtimit gjyqësor.
“Si profesionist, nga ajo që kemi parë deri më tani, nuk është vërtetuar asnjë prej pikave të aktakuzës. Megjithatë, për shkak të seancave të mbyllura dhe mungesës së transparencës së plotë, mbetet të pritet vendimi final,” tha Jashari.
Ai shprehu shqetësim për një qasje potencialisht subjektive të gjykatës, duke theksuar se vetëm zbatimi i standardeve më të larta të drejtësisë do të garantonte një aktgjykim të drejtë dhe lirues për të gjithë të akuzuarit.
— Dragash Info