Familjarët e të ndaluarve në Prizren ankohen në KMDLNJ për shkelje të të drejtave Familjarët e disa prej personave të…
Familjarët e të ndaluarve në Prizren ankohen në KMDLNJ për shkelje të të drejtave
Familjarët e disa prej personave të ndaluar në Prizren, nën dyshimet për manipulim me vota, janë ankuar në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), duke pretenduar shkelje të të drejtave themelore gjatë ndalimit dhe trajtimit të tyre.
Sipas ankesave, të ndaluarit thuhet se kanë qëndruar për disa orë pa ushqim dhe pa ujë, ndërsa gjatë dërgimit për seancën dëgjimore për masën e sigurisë në Gjykatën Themelore të Prizrenit, njëra nga të ndaluarat ka pësuar lëndime në duar, si pasojë e përdorimit të prangave plastike.
Burime brenda gjykatës kanë konfirmuar për televizionin Dukagjini se për shkak të mungesës së prangave metalike, policia ka përdorur pranga plastike, të cilat i kanë shkaktuar plagë njërës prej të ndaluarve, duke kërkuar edhe ndërhyrjen e ekipeve emergjente.
Megjithatë, lidhur me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren nuk ka dhënë përgjigje.
Ndërkohë, për shkak të numrit të madh të të arrestuarve – gjithsej 23 persona – disa prej tyre janë dërguar për mbajtje të përkohshme në Qendrën Korrektuese në Lipjan dhe Qendrën e Paraburgimit në Gjilan. Avokatët e të ndaluarve kanë ngritur shqetësime se kushtet në Lipjan kanë qenë jo të përshtatshme, përfshirë mungesë funksionaliteti dhe temperatura të ulëta.
Këto pretendime janë mohuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, i cili në një përgjigje zyrtare ka theksuar se të ndaluarve u janë ofruar kushte në përputhje me ligjin dhe standardet humane, përfshirë shujta ushqimore, kushte higjienike dhe akomodim të ndarë sipas gjinisë.
Avokati i një pjese të të ndaluarve, Valdet Hoxha, ka ngritur shqetësime edhe për ekspozimin publik të të arrestuarve, duke theksuar se është shkelur parimi i prezumimit të pafajësisë.
“Çdo person duhet të konsiderohet i pafajshëm derisa të ketë një vendim të formës së prerë. Publikimi i pamjeve dhe ekspozimi i të ndaluarve para publikut kërkon kujdes të shtuar dhe respektim të etikës profesionale”, ka deklaruar Hoxha.
Për këto dhe shqetësime të tjera, familjarët janë drejtuar edhe në KMDLNJ. Kryetari i këtij këshilli, Behxhet Shala, ka konfirmuar se kanë pranuar disa ankesa, duke përmendur mungesën e ushqimit, ujit dhe hapësirat e ngushta, por ka theksuar se shqetësimi më serioz lidhet me publikimin e emrave dhe fotografive të të ndaluarve.
“Publikimi i të dhënave personale të personave ende pa filluar procedurat hetimore është i ndaluar me ligj dhe përbën shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe privatësisë”, ka deklaruar Shala.
Për të vëzhguar nga afër trajtimin e të ndaluarve, gjatë ditës së shtunë në Gjykatën Themelore të Prizrenit ka qenë i pranishëm edhe Avokati i Popullit.
— Dragash Info