Jo vetëm Prizreni: Të gjitha komunat nën “llupën” e Prokurorisë për dyshime për manipulim votash Të gjitha prokurorit…
Jo vetëm Prizreni: Të gjitha komunat nën “llupën” e Prokurorisë për dyshime për manipulim votash
Të gjitha prokuroritë në Kosovë kanë lëshuar autorizime për grumbullimin e informatave lidhur me dyshimet për manipulim të votave gjatë procesit zgjedhor.
Këtë e ka bërë të ditur për Klankosova.tv
Koordinatorja Nacionale e Zgjedhjeve në Prokurorinë e Shtetit, Laura Pula, e cila ka theksuar se autorizimet janë dhënë për të gjitha zonat ku janë evidentuar dyshime dhe ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave.
“Janë lëshuar autorizime nga të gjitha prokuroritë për grumbullimin e informatave në vendet ku ka dyshime për manipulim të votave dhe aty ku ka përfunduar rinumërimi,” ka deklaruar Pula.
Sipas saj, prokuroritë janë aktualisht në fazën e mbledhjes së informatave dhe në pritje të rezultateve të hetimeve, pas së cilave do të ndërmerren veprime të mëtejme procedurale, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Koordinatorja Nacionale e Zgjedhjeve ka qenë e prerë se nuk do të ketë tolerancë për shkelje të ligjit, duke theksuar se “nuk do të ketë amnisti për askënd që ka shkelur vullnetin e qytetarëve”.
Përveç komunës së Prizrenit, grumbullimi i informatave ka nisur edhe në disa komuna të tjera të vendit, përfshirë Drenasin, Gjakovën, Malishevën dhe zona të tjera ku janë paraqitur dyshime për parregullsi zgjedhore.
— Dragash Info