UEFA sqaron: Kosova nuk mund të përballet me Bosnjë-Hercegovinën në Ligën e Kombeve Në prag të shortit të Ligës së Ko…
UEFA sqaron: Kosova nuk mund të përballet me Bosnjë-Hercegovinën në Ligën e Kombeve
Në prag të shortit të Ligës së Kombeve për edicionin 2026/27, UEFA ka bërë të ditur sqarime zyrtare lidhur me kundërshtarët me të cilët Kombëtarja e Kosovës nuk mund të përballet.
Kombëtarja dardane ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën B të Ligës së Kombeve, pas fitores në ndeshjet “play-off” ndaj Islandës, të zhvilluara në muajin mars të vitit të kaluar. Kosova më herët ishte pjesë e Ligës C, ku e përfundoi fazën e grupeve në vendin e dytë, në një grup me Rumaninë, Qipron dhe Lituaninë, duke grumbulluar gjithsej 12 pikë nga gjashtë ndeshje.
Shorti për edicionin e ri të Ligës së Kombeve do të hidhet më 12 shkurt 2026 në Bruksel të Belgjikës, ku Kosova do të jetë pjesë e Ligës B.
Në këtë ligë bën pjesë edhe Bosnja e Hercegovina, mirëpo sipas rregullave të UEFA-s, këto dy përfaqësuese nuk mund të jenë në të njëjtin grup. Kjo është konfirmuar edhe përmes një njoftimi zyrtar nga UEFA.
“Bazuar në vendimet e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, të vlefshme në kohën e hedhjes së shortit, ekipet që nuk mund të jenë në një grup janë: Bosnjë-Hercegovina (Liga B, vazo 2) – Kosova (Liga B, vazo 4). Përballjet e tjera të ndaluara nuk mund të ndodhin, pasi ekipet përkatëse nuk luajnë në të njëjtën ligë,” thuhet në njoftimin e UEFA-s.
Kështu, përballja mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës mbetet e pamundur në këtë edicion të Ligës së Kombeve, pavarësisht se të dyja kombëtaret janë pjesë e së njëjtës ligë.
— Dragash Info





