Caktohet masa e paraburgimit për 15 kryesues të votave të arrestuar në Malishevë Prokuroria Themelore në Gjakovë ka n…
Caktohet masa e paraburgimit për 15 kryesues të votave të arrestuar në Malishevë
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar opinionin publik se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, ka ndërmarrë veprime konkrete lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike, në kuadër të zgjedhjeve për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në Komunën e Malishevës.
Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të këtyre veprimeve janë intervistuar gjithsej 58 persona, prej të cilëve 15 kryesues të vendvotimeve dhe 43 komisionerë.
Të gjithë të dyshuarit ngarkohen për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, sipas nenit 216 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, 15 kryesuesit janë ndaluar për 48 orë dhe ndaj tyre Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente, e cila ka aprovuar kërkesën.
Ndërkohë, 43 komisionerët, pas grumbullimit të provave relevante dhe intervistimit, do të hetohen në procedurë të rregullt, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe në trajtimin me prioritet të veprave penale që cenojnë votën e lirë dhe demokratike të qytetarëve.
— Dragash Info