Botë

Edukimi i fëmijëve në shkollë dhe në familje – një proces i pandarë Nga Kushtrim Sejrani Edukimi i fëmijëve në shkoll…

31.01.2026. 2 min čitanja

Edukimi i fëmijëve në shkollë dhe në familje – një proces i pandarë

Nga Kushtrim Sejrani

Edukimi i fëmijëve në shkollë dhe edukimi në familje janë një proces i pandarë. Në organizimin e punës me familjet e nxënësve, shkolla niset nga një unitet detyrash, realizimi i të cilave ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin harmonik dhe të gjithanshëm të personalitetit të fëmijës.

Ndihmesa e familjes në edukimin e fëmijëve, dhe njëkohësisht rritja e përgjegjësisë së saj në formimin e brezit të ri, janë të mundura vetëm përmes një pune sistematike dhe të organizuar, e cila synon formimin e aftësive dhe shprehive pedagogjike të prindërve.

Është shumë e rëndësishme që fëmijët, ende pa hyrë në shkollë e sidomos në vitin e parë të saj, të kenë prindërit si bashkëpjesëmarrës aktivë në procesin edukativo-arsimor. Për këtë arsye, institucionet shkollore e kanë të domosdoshme të ndërtojnë një bashkëpunim të ngushtë dhe të qëndrueshëm shkollë–familje.

Si kusht i domosdoshëm për lindjen dhe forcimin e këtij bashkëpunimi, paraqitet kualifikimi dhe ndërgjegjësimi pedagogjik i familjes. Shkolla ka për detyrë të bashkëpunojë me prindërit për ngritjen e kulturës së tyre pedagogjike, pavarësisht nga niveli i tyre arsimor apo kulturor. Ajo ka fushën dhe përgjegjësinë e vet për lartësimin kulturor dhe edukativ të familjes.

Familja përbën shkallën e parë shoqërore në jetën e njeriut. Është pikërisht ajo që në moshat e hershme drejton njohuritë, shkathtësitë, dëshirat dhe ndjenjat e fëmijëve.

Nën drejtimin e prindërve, fëmija fiton përvojën e parë jetësore, njohuritë elementare për mjedisin që e rrethon, si dhe shprehitë bazë të jetesës dhe bashkëjetesës në shoqëri.

Autori është mësimdhënës në shkollën “Fetah Sylejmani” në Dragash.

— Dragash Info

Original Facebook objava