Qebe dhe qirinj si “dhuratë” për Kurtin, Rinia e PDK-së me aksion simbolik për rrymën para Qeverisë Prishtinë, 31 jan…
Qebe dhe qirinj si “dhuratë” për Kurtin, Rinia e PDK-së me aksion simbolik për rrymën para Qeverisë
Prishtinë, 31 janar 2026
Anëtarë të Rinisë Demokratike të Kosovës (RDK) kanë mbajtur sonte një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në shenjë proteste kundër mungesës së energjisë elektrike dhe paralajmërimeve për rritjen e radhës së çmimit të saj.
Gjatë këtij aksioni, RDK ka vendosur para Qeverisë një qebe dhe disa qirinj, si simbol i pakënaqësisë ndaj, siç u tha, deklaratave provokuese dhe të papërgjegjshme të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili së fundmi ka fajësuar qytetarët për krizën energjetike, duke deklaruar se “po ngrohen më shumë sesa që duhet”.
Sekretari i Rinisë Demokratike të Kosovës, Altin Gjata, në deklaratën për media ka theksuar se ky aksion nuk ka të bëjë me statistika apo propagandë, por me realitetin e përditshëm të qytetarëve të Kosovës.
Ai ka theksuar se kriza energjetike dhe faturat gjithnjë e më të papërballueshme po i detyrojnë familjet kosovare të zgjedhin mes ngrohjes dhe ushqimit, ndërsa studentët po detyrohen të mësojnë në terr.
Sipas Gjatës, pyetja që sot shtrohet nga qytetarët është e thjeshtë dhe e drejtë: edhe sa do të rritet çmimi i energjisë elektrike?
Ai ka kritikuar Qeverinë për, siç tha, bllokimin e qindra milionë eurove investime në energji të pastër dhe për dështimin në sigurimin e prodhimit vendor të mjaftueshëm, duke theksuar se kjo nuk është një krizë dimri, por krizë menaxhimi dhe papërgjegjësie.
Gjata ka shtuar se, ndonëse është premtuar një modernizim historik i KEK-ut, sot ky institucion prodhon më pak energji, importet janë rritur dhe përfitimet, sipas tij, po shkojnë tek të preferuarit e pushtetit.
“Faturën e kësaj krize po e paguajnë familjet tona dhe çdo qytetar i Kosovës”, ka deklaruar Gjata, duke shtuar se qebja dhe qirinjtë e vendosur para Qeverisë janë një “dhuratë” simbolike për kryeministrin në detyrë, i cili, sipas tij, nuk e ndien barrën e faturave mujore dhe të ngrohjes së familjes.
Në fund, Rinia Demokratike e Kosovës ka theksuar se energjia elektrike është shërbim bazë dhe jo biznes për të lidhurit me pushtetin, duke shtuar se qytetarët meritojnë dritë, ngrohje dhe siguri, dhe se nuk do të heshtin përballë kësaj gjendjeje.
“Edhe sa, Albin? Edhe sa përqind do të rritet rryma?”, ishte mesazhi përmbyllës i aksionit simbolik.
— Dragash Info




