REAGIM PUBLIK URGJENT: Rrezik i vazhdueshëm në rrugën jetike për Dragashin dhe trevën e Gorës Gjendja e rruges magjis…
REAGIM PUBLIK URGJENT: Rrezik i vazhdueshëm në rrugën jetike për Dragashin dhe trevën e Gorës
Gjendja e rruges magjistrale Zhur – Dragash, saktesisht aksi rrugore Rrenc – Rapqë nuk është një problem i ri apo i papritur.
Përkundrazi, bëhet fjalë për një degradim të vazhdueshëm që ka vite që është evident dhe që në mënyrë konstante ka ardhur duke u përkeqësuar, pa asnjë ndërhyrje serioze dhe përfundimtare nga institucionet përgjegjëse.
Kjo rrugë përfaqëson lidhjen e vetme të Dragashit dhe të gjithë trevës së Gorës me pjesën tjetër të vendit. Nuk ekziston asnjë rrugë alternative funksionale — as për qytetarët, as për Policinë, as për ambulancat, zjarrfikësit apo institucionet e tjera emergjente.
Çdo bllokim, edhe i pjesshëm, do të nënkuptonte izolim total të një zone të tërë.
Duhet theksuar se kjo rrugë ka qenë projekt trevjeçar dhe ka qenë nën garancion, ndërkohë që problemet strukturore kanë qenë të dukshme prej më shumë se tre vitesh.
Pavarësisht kësaj, gjatë periudhës së garancionit nuk është ndërmarrë asnjë sanim serioz ndërtimor, duke e lënë situatën të degradojë deri në gjendjen alarmante që shihet sot.
Aktualisht, dëmtimet janë thelluar ndjeshëm, stabiliteti i rrugës është seriozisht i rrezikuar dhe rreziku për aksidente të rënda shtohet nga dita në ditë. Rruga nuk mund të bllokohet, sepse nuk ka alternativë tjetër funksionale, por kjo nuk do të thotë se mund të lihet në këtë gjendje.
Kërkohet nga institucionet kompetente qendrore që:
Të ndërmarrin masa të menjëhershme emergjente për stabilizimin e rrugës,
Të realizojnë vlerësim profesional teknik dhe gjeologjik,
Të fillojnë punimet pa vonesë, para se të ndodhë ndonjë tragjedi me pasoja të rënda për jetën e qytetarëve.
Mosveprimi institucional përballë një rreziku kaq serioz për një rrugë jetike është i papranueshëm. Përgjegjësia duhet të merret tani, jo pas një fatkeqësie.
— Dragash Info