Komuna e Dragashit në koordinim me institucionet qendrore për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet Kryetari i Komunës së…
Komuna e Dragashit në koordinim me institucionet qendrore për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet
Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka bërë të ditur se sot është zhvilluar një takim pune me kryetarin e Komisionit Qeveritar për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë e Tjera, z. Kastriot Lajçi, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët Bashkim Mehmetaj dhe Gafurr Sllamniku.
Takimi është mbajtur në prani të Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve, i cili ka për detyrë evidentimin dhe analizimin e dëmeve të shkaktuara si pasojë e vërshimeve të fundit në territorin e komunës.
Gjatë diskutimeve janë trajtuar pasojat e vërshimeve, me theks të veçantë në dëmet e shkaktuara në ekonomitë familjare, sipërfaqet bujqësore si dhe infrastrukturën publike. Palët janë dakorduar që përmes një bashkëpunimi të ngushtë institucional të sigurohet një proces vlerësimi i drejtë, i detajuar dhe gjithëpërfshirës.
Kryetari Xheladini ka theksuar se Komuna e Dragashit do të vazhdojë angazhimin e saj në koordinim me institucionet e nivelit qendror, me qëllim të ofrimit të ndihmës së nevojshme për qytetarët e prekur dhe ndërmarrjen e masave konkrete për përballimin dhe tejkalimin e pasojave të vërshimeve.
— Dragash Info




