Drejt një zbulimi të madh shkencor: Studimi tregon regresion të tumorit të pankreasit në testet laboratorike Një stud…
Drejt një zbulimi të madh shkencor: Studimi tregon regresion të tumorit të pankreasit në testet laboratorike
Një studim i ri shkencor ka hapur një dritare shprese në luftën kundër tumorit të pankreasit, një nga format më agresive dhe vdekjeprurëse të kancerit.
Studiuesit në Qendrën Kombëtare Spanjolle për Kërkime mbi Kancerin (CNIO) kanë arritur të ndalin dhe të kthejnë pas përparimin e sëmundjes te minjtë laboratorikë, duke përdorur një kombinim të tre barnave, sipas rezultateve të publikuara së fundmi.
Sipas studimit, adenokarcinoma duktale, forma më e zakonshme e tumorit të pankreasit, ka shfaqur regresion për rreth 200 ditë, pa u shoqëruar me efekte anësore të rënda, çka konsiderohet një arritje e rëndësishme në fazën eksperimentale të kërkimeve.
Pas publikimit të rezultateve, profesor Mariano Barbacid, drejtues i ekipit të Onkologjisë Eksperimentale në CNIO, ka bërë apel për mbështetje financiare, duke theksuar se synimi final i ekipit është kalimi i këtij trajtimi nga laboratori te pacientët njerëzorë sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Ju lutem, dhuroni dhe na ndihmoni të ndryshojmë historinë”, është shprehur Barbacid, duke nënvizuar se vazhdimi i kërkimeve shkencore është thelbësor për ta shndërruar këtë zbulim në një terapi konkrete dhe të sigurt për pacientët.
Ekspertët theksojnë se, megjithëse rezultatet janë premtuese, nevojiten studime të mëtejme klinike për të vërtetuar efektivitetin dhe sigurinë e trajtimit te njerëzit.
— Dragash Info