Ambasada amerikane: Vendimi i KQZ-së për Listën Serbe minon partneritetin SHBA–Kosovë Ambasada e Shteteve të Bashkuar…
Ambasada amerikane: Vendimi i KQZ-së për Listën Serbe minon partneritetin SHBA–Kosovë
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka shprehur shqetësim lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos miratuar listën e kandidatëve për deputetë të Listës Serbe, duke vlerësuar se një veprim i tillë është në kundërshtim me parimet demokratike.
Sipas një deklarate për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Ambasadës amerikane ka theksuar se vendimi cenon të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur lirshëm dhe në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre.
“Çdo përpjekje për të shkelur këtë parim bazë minon partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Më 31 janar, KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Gjatë kësaj mbledhjeje, anëtarët e Komisionit miratuan listat e kandidatëve për deputetë të të gjitha partive politike, me përjashtim të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Vendimi u mor me tre vota për, dy kundër nga përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa anëtarët e tjerë të KQZ-së abstenuan.
Në reagim ndaj këtij vendimi, Lista Serbe, më 2 shkurt, ka paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke kërkuar rishqyrtimin e vendimit të KQZ-së.
— Dragash Info