ZRrE: Nuk ka rritje të tarifave të energjisë, lista e NEMO-s mbetet e pandryshuar për 2026-2028 ⚡ Zyra e Rregullatori…
ZRrE: Nuk ka rritje të tarifave të energjisë, lista e NEMO-s mbetet e pandryshuar për 2026-2028 ⚡
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka bërë të ditur se lista e tarifave të Operatorit të Lejuar të Tregut të Energjisë Elektrike (NEMO) për Kosovën do të mbetet e pandryshuar për periudhën 2026-2028, pavarësisht kërkesave për rritje.
Në mbledhjen e parë të Bordit për vitin 2026, ZRrE shqyrtoi kërkesën e ALPEX-it për përcaktimin e të hyrave dhe tarifave të NEMO-s. Muharrem Gashi, Udhëheqës i Departamentit të Tarifave në ZRrE, ka sqaruar se të hyrat e lejuara për periudhën në fjalë përfshijnë komponentët standardë rregullatorë, si kostot operative, investimet kapitale, amortizimet, kapitalin e punës dhe tarifat e licencës.
Sipas ZRrE-së, vlerat e propozuara për Kosovën janë:
2026: 669,028 euro
2027: 712,410 euro
2028: 835,613 euro
Gashi ka theksuar se kjo rritje nuk lidhet me tarifat e energjisë për qytetarët, por me rritjen e volumit të energjisë dhe kostove për njësi, duke shtuar se çmimet e energjisë në bursë formohen automatikisht nga platforma e tregtimit, sipas ofertës dhe kërkesës së pjesëmarrësve në treg.
“Lista e tarifave të NEMO-s për Kosovën propozohet të jetë e pandryshuar krahasuar me periudhën paraprake dhe vazhdon të aplikohet për tregun. Këto tarifa nuk përfaqësojnë çmimet e energjisë elektrike në bursa, të cilat formohen automatikisht nga platforma e tregtimit,” ka deklaruar Gashi.
ZRrE ka zhvilluar gjithashtu procesin e konsultimit publik, ku nuk ka pasur komente nga palët e interesit apo nga ALPEX-i, duke siguruar se vendimi është në përputhje me Ligjin për Rregullatorin për Energji, Ligjin për Energji Elektrike dhe metodologjinë për përcaktimin e tarifave të operatorit të lejuar të tregut të energjisë elektrike NEMO.
— Dragash Info