PDK mbështet marshin “Drejtësi, jo politikë!” dhe nis mobilizimin për pjesëmarrje më 17 shkurt në Prishtinë Partia De…
PDK mbështet marshin “Drejtësi, jo politikë!” dhe nis mobilizimin për pjesëmarrje më 17 shkurt në Prishtinë
Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur mbështetjen e saj për marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë!”, i cili do të mbahet më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në Prishtinë. Marshi organizohet nga platforma “Liria ka Emër”.
Sipas njoftimit, PDK ka nisur mobilizimin e strukturave të saj partiake në mbarë vendin, me qëllim të angazhimit sa më të gjerë të qytetarëve për pjesëmarrje masive në këtë marsh qytetar.
PDK vlerëson se ky marsh përfaqëson një thirrje të ligjshme dhe paqësore për drejtësi të paanshme, duke theksuar mbrojtjen e luftës çlirimtare të Kosovës dhe të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po përballen me procese gjyqësore në Hagë. Sipas partisë, në këtë fazë përmbyllëse të procesit, kërkohet drejtësi e plotë, e barabartë dhe e lirë nga ndikimet politike.
Në njoftim ritheksohet se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë dhe çlirimtare, e zhvilluar për liri dhe dinjitet, ndërsa çdo përpjekje për relativizimin e saj cilësohet si padrejtësi ndaj sakrificës së popullit të Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës ka ftuar qytetarët që, në frymën e unitetit dhe respektit institucional, të bashkohen më 17 shkurt në Prishtinë për të kërkuar drejtësi dhe për të nderuar sakrificën mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.
— Dragash Info