Takim koordinues për projektin e rritjes së kapaciteteve ujore nga burimi i Vermicës Dje është mbajtur një takim pune…
Takim koordinues për projektin e rritjes së kapaciteteve ujore nga burimi i Vermicës
Dje është mbajtur një takim pune koordinues me përfaqësuesit e kompanisë Infra Plus, në kuadër të përgatitjes së projektit kryesor për shtimin e kapaciteteve ujore nga burimi i Vermicës, projekt i kontraktuar nga Komuna e Prizrenit.
Në këtë proces ka marrë pjesë edhe KRU Hidroregjioni Jugor Sh.A., në cilësinë e përfituesit të drejtpërdrejtë të investimit, duke ofruar mbështetje teknike, të dhëna operative dhe koordinim profesional. Qëllimi i këtij angazhimi është sigurimi që zgjidhjet e projektuara të integrohen në mënyrë efikase dhe të qëndrueshme në sistemin ekzistues të furnizimit me ujë.
Sipas njoftimit, ky investim pritet të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve prodhuese, përmirësimin e sigurisë së furnizimit me ujë, si dhe në garantimin e qëndrueshmërisë afatgjatë të shërbimit për qytetarët e Prizrenit dhe zonave përreth.
Ky projekt vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të infrastrukturës ujore dhe përmirësimit të cilësisë së shërbimeve për komunitetin.
— Dragash Info