Botë

BADUSHE BAJRAKTARI – MAMIA QË SOLLI NË JETË MBI 3000 FOSHNJA Për gati pesë dekada me radhë, emri i Badushe Lutfiu-Baj…

06.02.2026. 3 min čitanja

BADUSHE BAJRAKTARI – MAMIA QË SOLLI NË JETË MBI 3000 FOSHNJA

Për gati pesë dekada me radhë, emri i Badushe Lutfiu-Bajraktari është lidhur ngushtë me ardhjen në jetë të mijëra foshnjave në trevën e Opojës, Gorës dhe më gjerë. Si infermiere dhe mami, ajo ka asistuar në rreth 3000 lindje, duke u bërë pjesë e historive më të rëndësishme të shumë familjeve.

Karrierën e saj e nisi në vitin 1975, vetëm 20 vjeçe, ndërsa pjesën më të madhe të jetës profesionale e kaloi në shërbim të qytetarëve të komunës së Dragashit. Nga ambulancat rurale e deri në lindoren e spitalit të Dragashit, Badushja u shqua për profesionalizëm, përkushtim dhe humanizëm të rrallë.

Sipas evidencës së mbajtur prej saj, nëpër duart e kësaj mamije kanë ardhur në jetë 1489 djem dhe 1511 vajza, përfshirë edhe 17 lindje binjakësh. Shumë nga këto lindje janë realizuar në kushte të vështira, shpesh larg kushteve optimale mjekësore.

Veçanërisht e paharrueshme mbetet periudha e luftës, kur shtëpia e saj në Prizren u shndërrua në një lindore improvizuese. Në atë kohë, mbi 100 gra sollën në jetë fëmijët e tyre aty, falë guximit dhe përkushtimit të Badushe Bajraktarit, e cila shërbimin e ofroi vullnetarisht dhe pa pagesë.

Gjatë punës së saj shumëvjeçare, ajo u përball edhe me sfida të shumta: udhëtime në këmbë nëpër fshatra, mungesë transporti, orare të zgjatura pune dhe raste emergjente gjatë transferimit të shtatzënave drejt spitaleve më të mëdha. Megjithatë, asnjëherë nuk u zmbraps nga misioni i saj.

Një nga përjetimet më emocionale për Badushen ka qenë asistimi në lindjen e tre brezave të së njëjtës familje, një dëshmi e rrallë e përkushtimit dhe besimit që qytetarët kishin ndaj saj.

Edhe pse kontributi i saj u vlerësua gjerësisht nga qytetarët, ajo nuk mori asnjë mirënjohje zyrtare nga institucionet përkatëse, madje as në ditën e pensionimit në vitin 2020.

Megjithatë, respekti dhe falënderimet e familjeve mbeten shpërblimi i saj më i madh.

Sot, Badushe Bajraktari jeton në Prizren, e rrethuar nga familja, duke bartur me vete kujtimet e një jete të tërë të përkushtuar në shërbim të jetës.

Një figurë që meriton nderim, jo vetëm për profesionin, por për humanizmin dhe sakrificën e saj të jashtëzakonshme.

— Dragash Info

Original Facebook objava