Komuna e Prizrenit anëtarësohet me të drejta të plota në Sister Cities International Komuna e Prizrenit është anëtarë…
Komuna e Prizrenit anëtarësohet me të drejta të plota në Sister Cities International
Komuna e Prizrenit është anëtarësuar me të drejta të plota në Sister Cities International, Organizatën Ndërkombëtare të Qyteteve Simotra me seli në Washington DC.
Anëtarësimi u zyrtarizua gjatë një takimi zyrtar të mbajtur në selinë e organizatës në Washington DC, ku ishte e pranishme edhe Ms. Ricki Garrett, Presidente dhe CEO e Sister Cities International, së bashku me stafin e saj.
Sister Cities International është një organizatë ndërkombëtare jofitimprurëse e diplomacisë qytetare, e themeluar në vitin 1956 nga Presidenti amerikan Dwight D. Eisenhower, me mision promovimin e paqes përmes respektit të ndërsjellë, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet qyteteve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe qyteteve në mbarë botën.
Organizata mbështet dhe zhvillon partneritete përmes shkëmbimeve kulturore, arsimore, informuese dhe tregtare.
Anëtarësimi i Prizrenit në këtë organizatë ndërkombëtare pritet të sjellë përfitime të shumta për komunitetin dhe institucionet lokale, duke përfshirë:
zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare,
shkëmbime kulturore dhe arsimore,
programe për të rinjtë,
zhvillim ekonomik dhe tregtar,
diplomaci qytetare dhe ndërtim të paqes,
si dhe promovim ndërkombëtar të qytetit.
Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili e ka vlerësuar këtë anëtarësim si një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të rolit ndërkombëtar të Prizrenit dhe zgjerimit të bashkëpunimit me qytete partnere në mbarë botën.
— Dragash Info



