Nisin hetimet për dyshime për falsifikim të rezultateve zgjedhore në Dragash – 9 persona ndalohen për 48 orë Prokuror…
Nisin hetimet për dyshime për falsifikim të rezultateve zgjedhore në Dragash – 9 persona ndalohen për 48 orë
Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, ka nisur hetime lidhur me dyshimet për parregullsi në procesin e numërimit të votave në Komunën e Dragashit.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet janë iniciuar pas informacioneve publike të paraqitura gjatë rinumërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Dragash. Me autorizim të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, organet hetimore kanë ndërmarrë veprime procedurale, duke intervistuar gjithsej 51 persona në cilësinë e të dyshuarve.
Prokuroria bën të ditur se nëntë komisionerë janë ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit, mbi dyshimet e bazuara për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, e sanksionuar me nenin 216, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Nga Prokuroria theksohet se ndalimi është masë procedurale dhe se ndaj të gjithë të dyshuarve vlen prezumimi i pafajësisë, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga organet kompetente të drejtësisë.
Po ashtu, Prokuroria ka njoftuar se brenda afateve ligjore do të vendoset për masat e mëtejme procedurale, me qëllim të sigurimit të zhvillimit të rregullt të procedurës penale.
Institucionet përgjegjëse kanë ritheksuar përkushtimin e tyre për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor, respektimin e vullnetit të qytetarëve dhe trajtimin e çdo dyshimi për shkelje ligjore në përputhje me ligjin dhe standardet demokratike.
— Dragash Info