Botë

OVL e UÇK-së në Prizren reagon ashpër ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale në Hagë Organizata e Veteranëve të Luftës…

09.02.2026. 3 min čitanja

OVL e UÇK-së në Prizren reagon ashpër ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale në Hagë

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Dega në Prizren, ka reaguar lidhur me fjalën përfundimtare të Prokurorisë Speciale në Gjykatën Speciale në Hagë, duke e cilësuar kërkesën për dënime deri në 45 vjet burg për ish-krerët e UÇK-së si të pabazë dhe thellësisht të padrejtë.

Në reagimin e bërë publik, kryetari i OVL-UÇK Prizren, Isa Berisha, shpreh befasinë dhe indinjatën e thellë të organizatës, duke theksuar se Prokuroria Speciale nuk ka mbështetur kërkesën e saj në fakte apo dëshmi reale, por ka injoruar kontributin historik të figurave kryesore të luftës çlirimtare dhe të themelimit të Republikës së Kosovës.

Sipas OVL-UÇK-së, procesi në Gjykatën Speciale nuk mund të anashkalojë dëshmitë dhe vlerësimet e personaliteteve ndërkombëtare që kanë qenë të përfshira drejtpërdrejt në zhvillimet e luftës dhe çlirimit të Kosovës, përfshirë gjeneralin Wesley Clark, Chris Hill, James Rubin dhe figura të tjera të larta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s.

Reagimi nënvizon se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë subjekt i vazhdueshëm i propagandës dhe sulmeve nga qarqe armiqësore, të cilat, sipas tyre, kanë tentuar ta njollosin luftën çlirimtare përmes lobimeve dhe interesave të ngushta politike e personale.

Megjithatë, sipas OVL-UÇK-së, këto përpjekje kanë dështuar dhe nuk mund ta ndryshojnë të vërtetën historike të luftës së drejtë të popullit të Kosovës.

Në reagim shprehet gjithashtu shqetësim për disa qëndrime dhe shkrime në rrjetet sociale, ku, sipas OVL-UÇK-së, pa përgjegjësi dhe pa fakte, vihet në dyshim lufta çlirimtare dhe sakrifica e çlirimtarëve. Organizata e konsideron të papranueshme barazimin e çlirimtarëve me bashkëpunëtorët e armikut.

“E vërteta historike nuk mund të ndryshohet. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, çlirimtare dhe e shenjtë për popullin e Kosovës dhe e tillë do të mbetet në histori,” thuhet në reagim.

Në fund, OVL-UÇK Prizren thekson se liria e Kosovës është fituar me sakrificë dhe gjak dhe se ajo nuk mund të mohohet apo zhbëhet nga asnjë proces apo propagandë.

— Dragash Info

Original Facebook objava