Balla reagon ndaj kërkesës për 180 vjet burg për ish-krerët e UÇK-së: “Akuzë e turpshme” Kreu i Grupit Parlamentar të…
Balla reagon ndaj kërkesës për 180 vjet burg për ish-krerët e UÇK-së: “Akuzë e turpshme”
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla, ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale në Hagë për dënime totale prej 180 vjetësh burg për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar këtë kërkesë si të turpshme dhe të mbushur me trillime.
Në një deklaratë të publikuar në Facebook, Balla ka theksuar se, sipas tij, kjo akuzë përbën një përpjekje për të baltosur luftën çlirimtare të UÇK-së dhe rëndon jo vetëm mbi të akuzuarit, por mbi mbarë kombin shqiptar.
Ai ka vënë në pah edhe atë që e ka cilësuar si ironi të madhe, duke thënë se e njëjta prokurori ka kërkuar në të kaluarën dënime shumë më të ulëta për kriminelët pushtues, përgjegjës për krime të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Sipas Ballës, këto krime përfshijnë vrasjen e rreth 12 mijë civilëve, përdhunimin e mbi 20 mijë grave dhe vajzave, si dhe zhdukjen e rreth 1 mijë e 600 personave, të cilët ende rezultojnë të pagjetur.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive më 17 shkurt në Prishtinë, në shenjë solidariteti dhe mbështetjeje për Kosovën dhe luftën e saj çlirimtare, në kuadër të marshit “Drejtësi, jo politikë”.
“Mbi kombin shqiptar është zbrazur dje në Hagë një akuzë e turpshme e mbushur fund e krye me trillime, me qëllimin e vetëm baltosjen e luftës çlirimtare të UÇK-së. Ironia është se e njëjta prokurori ka kërkuar vite më parë dënime shumë më të ulëta për xhelatët pushtues, përgjegjës për mijëra viktima, për gra e vajza të përdhunuara dhe për qindra persona të zhdukur. Prandaj, më 17 shkurt, të gjithë duhet të jemi në Prishtinë”, ka shkruar Balla.
— Dragash Info