KQZ certifikon rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, hapet rruga për seancën konstituive Komisioni Qendror i Zgjed…
KQZ certifikon rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, hapet rruga për seancën konstituive
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar zyrtarisht rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura më 28 dhjetor, 43 ditë pas përfundimit të procesit zgjedhor.
Vendimi për certifikimin e rezultateve është marrë me 11 vota për nga anëtarët e KQZ-së, duke i hapur kështu rrugë thirrjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës dhe formimit të institucioneve të reja.
Sipas rezultateve të certifikuara, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forcë e parë politike, duke fituar 51.10 për qind të votave dhe duke siguruar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.19 për qind të votave, që përkthehen në 22 ulëse parlamentare.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 13.24 për qind të votave, duke siguruar 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 5.50 për qind të votave, që i sigurojnë gjashtë ulëse në legjislativ.
Certifikimi i rezultateve përmbyll fazën zgjedhore dhe krijon bazën ligjore për konstituimin e Kuvendit dhe nisjen e procedurave për formimin e Qeverisë së re.
— Dragash Info