Rama: Të dënosh krerët e UÇK-së do të thotë të legjitimosh krimet e agresorit Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përpa…
Rama: Të dënosh krerët e UÇK-së do të thotë të legjitimosh krimet e agresorit
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale në Hagë për dënimin me nga 45 vjet burg për secilin prej ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Rama e ka cilësuar këtë kërkesë si një akt të turpshëm të shtrembërimit të së vërtetës dhe një sulm politik ndaj luftës çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, kërkesa për dënime maksimale ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së përbën kriminalizim të rezistencës ndaj okupimit dhe, siç është shprehur ai, legjitimim të krimeve të agresorit.
“Kërkesa e Prokurorisë për dënime maksimale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një akt i turpshëm i shtrembërimit të së vërtetës dhe një sulm politik ndaj luftës çlirimtare. Të kërkosh dënime prej 45 vjetësh për krerët e UÇK-së do të thotë të kriminalizosh rezistencën ndaj okupimit dhe të legjitimosh krimet e agresorit. Ky proces nuk synon të zbardhë përgjegjësi individuale, por të godasë vetë aktin e çlirimit dhe ta paraqesë luftën për liri si vepër penale”, ka shkruar Rama.
Ai ka shtuar se, sipas vlerësimit të tij, në këtë proces nuk po gjykohen individë, por po sulmohet një komb i tërë.
“Këtu nuk po gjykohen individë, por po sulmohet një komb. Po tentohet të përmbyset historia duke e zhvendosur fajin nga agresori te viktima, nga shteti që kreu krime te ata që u ngritën kundër tyre. Kjo është padrejtësi e institucionalizuar dhe revizionizëm politik. Një drejtësi që barazon pushtuesin me të pushtuarin nuk është drejtësi, por një farsë që rrezikon të shndërrohet në njollë të përhershme mbi kujtesën historike dhe mbi vetë nocionin e drejtësisë ndërkombëtare”, ka theksuar kryetari i Prishtinës.
— Dragash Info