Psikologu i shkollës “Pavarësia”: 10 nxënës sulmuan mësimdhënësin, video paraqet vetëm momentin final Një incident i…
Psikologu i shkollës “Pavarësia”: 10 nxënës sulmuan mësimdhënësin, video paraqet vetëm momentin final
Një incident i shqetësueshëm ka ndodhur sot në Shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, ku një mësimdhënës është përfshirë në një konflikt fizik me nxënës, duke u arrestuar dhe ndaluar për 48 orë nga Prokuroria Themelore nën dyshimin për ushtrim dhune gjatë detyrës zyrtare. Hetimet për rastin po zhvillohen nga organet kompetente.
Ngjarja u bë publike pas një videoje të përhapur në rrjetet sociale, ku duket mësimdhënësi duke goditur një nxënës brenda ambientit të shkollës, duke shkaktuar reagime të shumta nga qytetarët dhe prindërit.
Megjithatë, psikologu i shkollës, Nazim Mahmuti, ka dhënë një version të ndryshëm për mediat. Ai tha se incidenti nuk ishte ashtu siç duket në video, duke theksuar se mësimdhënësi ishte objekt i një sulmi të organizuar nga një grup nxënësish. Sipas tij, rreth dhjetë nxënës hynë në sallën e arsimtarëve për të sulmuar fizikisht mësimdhënësin, ndërsa videoja e shpërndarë paraqet vetëm momentin final të konfliktit.
Mahmuti gjithashtu shtoi se sallat nuk janë të pajisura me kamera sigurie, dhe nxënësit kanë zgjedhur këtë hapësirë për t’u bashkuar kundër mësimdhënësit pas provokimeve me fyerje dhe sharje. Ai theksoi se nxënësi që shfaqet në video nuk është pjesë e klasës së mësimdhënësit dhe kishte probleme disiplinore më herët. Mësimdhënësi, sipas tij, po përgatitej për aktivitete shkollore kur ndodhi incidenti.
Policia dhe Prokuroria vazhdojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota të rastit, ndërsa pritet që pas përfundimit të procedurave ligjore të merren masa të mëtejshme institucionale.
— Dragash Info