Botë

Hoxhaj i ashpër: Procesi në Hagë, ndërhyrje politike që synon rishkrimin e historisë së Kosovës Pas kërkesës së Proku…

10.02.2026. 2 min čitanja

Hoxhaj i ashpër: Procesi në Hagë, ndërhyrje politike që synon rishkrimin e historisë së Kosovës

Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale në Hagë për dënime deri në 180 vjet burg për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Enver Hoxhaj, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka reaguar ashpër, duke e cilësuar këtë çështje si “një ndërhyrje politike brutale që synon rishkrimin e historisë së Kosovës”.

Sipas Hoxhajt, ky proces përbën “përndjekje selektive ndaj Kosovës”, duke përqendruar vëmendjen te rezistenca e jo te aparati shtetëror serb që kreu gjenocid, dhe duke krijuar një “barazi të rreme mes pushtuesit dhe të pushtuarit”.

Ai ka shpjeguar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës u ngrit si reagim ndaj dhunës, spastrimit etnik dhe gjenocidit serb, duke qenë një formë mbrojtjeje dhe rezistence. “Çdo përpjekje për ta nxjerrë këtë luftë jashtë këtij konteksti përbën shtrembërim të së vërtetës historike”, ka shkruar Hoxhaj.

Deputeti ka theksuar gjithashtu se “kriminalizimi i UÇK-së është sulm ndaj historisë së popullit të Kosovës. Çlirimi nuk është krim, rezistenca nuk është ndërmarrje kriminale dhe historia nuk mund të rishkruhet sipas narrativës së agresorit apo burokratëve në Bruksel”.

Sipas tij, drejtësia e vërtetë mund të ekzistojë vetëm kur “emërtohet saktë pushteti që prodhoi dhunën dhe njihet legjitimiteti i luftës për liri”, ndërsa çdo vendim tjetër “mbetet një formë tjetër e padrejtësisë”.

Në fund, Hoxhaj ka kritikuar edhe Bashkimin Evropian, duke thënë se “fatkeqësisht sot, me fonde të BE-së, po luftohet historia e Kosovës dhe po rehabilitohet regjimi gjenocidal i Serbisë, i cili kurrë nuk u përball realisht me drejtësinë”.

— Dragash Info

Original Facebook objava