Botë

Avokati amerikan i Thaçit akuzon Prokurorinë e Hagës për arrogancë dhe mungesë respekti ndaj diplomatëve ndërkombëtar…

11.02.2026. 3 min čitanja

Avokati amerikan i Thaçit akuzon Prokurorinë e Hagës për arrogancë dhe mungesë respekti ndaj diplomatëve ndërkombëtarë

Avokati amerikan i ish-presidentit Hashim Thaçi, Pierre Prosper, ka reaguar ashpër ndaj Prokurorisë së Specializuar në Hagë, duke e akuzuar atë për arrogancë, injorancë dhe mungesë respekti ndaj diplomatëve dhe zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë që kanë dëshmuar në proces.

Gjatë paraqitjes së tij, Prosper kritikoi qëndrimin e Prokurorisë lidhur me vlerësimin e dëshmive të shtatë zyrtarëve ndërkombëtarë, për të cilët ZPS kishte deklaruar se kishin informacione të kufizuara për situatën në Kosovë dhe për aktorët e përfshirë.

“Dje komunikova me një diplomat të lartë, ambasador dhe i dërguar i posaçëm. I lexova disa nga citimet e së hënës nga ZPS-ja, veçanërisht për faktin se gjyqtarët kanë dëgjuar dëshmi nga shtatë ndërkombëtarë. U përpoqën me çiltërsi të sillnin paqe në Kosovë.

Por prokurorja vazhdon të thotë se kishin informacione të kufizuara. Kjo tregon arrogancë dhe mungesë respekti”, ka deklaruar Prosper.

Sipas tij, rrëzimi i përvojës dhe dëshmive të profesionistëve që kanë shërbyer në pozita kyçe ndërkombëtare është një qasje e gabuar dhe problematike, e cila cenon besueshmërinë e vetë tribunaleve ndërkombëtare.

“Kur profesionistët dalin e tregojnë çfarë ka ndodhur dhe deklaratat e tyre hidhen poshtë, kjo është problematike. Nuk është për t’u habitur që qeveritë dyshojnë në besueshmërinë e tribunaleve ndërkombëtare”, tha ai.

Prosper përmendi me emër disa nga figurat që kanë dëshmuar, përfshirë gjeneralin Wesley Clark, James Rubin, Paul Williams, Duncan, Durkee dhe ambasadorin Hill, duke theksuar se ata kanë pasur informacione të dorës së parë nga terreni dhe nga burime institucionale.

Ai theksoi se këta zyrtarë nuk kanë qenë “kalimtarë” apo “turistë” në Kosovë, por persona me përgjegjësi të drejtpërdrejta në proceset diplomatike dhe ushtarake të kohës.

“Gjenerali Clark, komandant suprem i forcave aleate në Evropë, ka qenë në Dejton dhe ka pasur qasje në informacione të nivelit më të lartë. Prokuroria dëshiron që ne të besojmë se ata kanë bërë vetëm konstatime sipërfaqësore. Kjo është mungesë respekti dhe tregon injorancë sa i takon këtij procesi”, deklaroi Prosper.

Sipas tij, diplomatët dhe ekspertët ndërkombëtarë që dëshmuan në Hagë erdhën vullnetarisht për të ndarë përvojën dhe njohuritë e tyre, të bazuara në takime zyrtare, raporte ushtarake e civile, si dhe vëzhgime të drejtpërdrejta në terren.

Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së po vazhdon në Dhomat e Specializuara në Hagë, ndërsa deklaratat e fundit të mbrojtjes pritet të nxisin debat të mëtejshëm mbi qasjen dhe vlerësimin e dëshmive në këtë çështje.

— Dragash Info

Original Facebook objava