Komandanti i FSK-së mori pjesë në takimin trilateral me Shefat e Shtabeve të Shqipërisë dhe Kroacisë 🇽🇰🇦🇱🇭🇷 Komandant…
Komandanti i FSK-së mori pjesë në takimin trilateral me Shefat e Shtabeve të Shqipërisë dhe Kroacisë 🇽🇰🇦🇱🇭🇷
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka marrë pjesë në takimin trilateral të zhvilluar në Republikën e Shqipërisë, së bashku me Shefat e Shtabeve të Shqipërisë dhe Kroacisë, në një takim që vlerësohet si hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Në këtë takim, Gjeneral Bashkim Jashari, Gjeneral Arben Kingji dhe Gjeneral Robert Hranj Kundid zhvilluan diskutime të hapura dhe konstruktive mbi sfidat aktuale të sigurisë, thellimin e bashkëpunimit ushtarak, rritjen e ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave dhe avancimin e kapaciteteve mbrojtëse në përputhje me standardet euroatlantike.
Sipas njoftimit, takimi konfirmoi përkushtimin e përbashkët për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë së qëndrueshme në rajon. Po ashtu, u theksua gatishmëria për zgjerimin e bashkëpunimit përmes trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta, shkëmbimit të përvojave dhe koordinimit strategjik ndërmjet tre vendeve.
Kjo iniciativë trilaterale konsiderohet një shembull i partneritetit të fortë dhe vizionit të përbashkët për një rajon më të sigurt dhe më të qëndrueshëm.
— Dragash Info




