Botë

Kalon në Kuvend rezoluta për gjyqin në Hagë, LDK nuk merr pjesë në votim Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar…

12.02.2026. 3 min čitanja

Kalon në Kuvend rezoluta për gjyqin në Hagë, LDK nuk merr pjesë në votim

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar me 90 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës lidhur me procesin gjyqësor në Hagë. Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mori pjesë në votim.

Rezoluta ishte paraparë si pikë e tretë e rendit të ditës, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkoi që ajo të zhvendosej në pikën e parë për shkak të një angazhimi të deputetit Ramush Haradinaj.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, gjatë prezantimit theksoi se teksti i rezolutës është hartuar nga një grup profesorësh me mbi 300 anëtarë, duke sqaruar se nuk bëhet fjalë për një dokument të përpiluar nga partia.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, kërkoi shtimin e një pike që do të përfshinte thirrjen për zbardhjen e plotë të të gjitha vrasjeve të pazbuluara gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Në përgjigje, Gruda deklaroi se teksti është i gatshëm dhe nuk mund të ndryshohet, pasi nuk është hartuar nga PDK-ja dhe ka pasur dakordim paraprak për përmbajtjen.

Përmbajtja e rezolutës

Rezoluta përmban shtatë pika kryesore, përmes të cilave Kuvendi:

Kërkon nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar zbatimin me përpikëri të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare për një proces gjyqësor të drejtë, të paanshëm dhe transparent.

Kërkon respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të të akuzuarve, në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kërkon nga Ombudspersoni i Dhomave të Specializuara të veprojë me pavarësi dhe paanësi të plotë.

Inkurajon shtetet demokratike dhe organizatat ndërkombëtare që të monitorojnë respektimin e standardeve për gjykim të drejtë.
Konfirmon zotimin për mbështetje, përfshirë atë financiare, për të drejtat e mbrojtjes së udhëheqësve dhe luftëtarëve të UÇK-së.

Konfirmon përkushtimin për afirmimin e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe historisë mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.

Rezoluta përfaqëson një qëndrim zyrtar të Kuvendit të Kosovës në raport me proceset që po zhvillohen në Hagë, duke theksuar domosdoshmërinë e respektimit të standardeve ndërkombëtare për drejtësi.

— Dragash Info

Original Facebook objava