Takim konsultues për Performancën Komunale në Dragash – Synohet vazhdimi i suksesit me Grantin e Performancës Dragash…
Takim konsultues për Performancën Komunale në Dragash – Synohet vazhdimi i suksesit me Grantin e Performancës
Dragash, 23 shkurt 2026
Në sallën e Asamblesë Komunale të Dragash, kryetari i komunës Bexhet Xheladini, së bashku me kabinetin e tij, zhvilloi një takim konsultues me anëtarët e Grupit Punues për Performancën Komunale.
Takimi u fokusua në hapat konkretë që duhet të ndërmerren gjatë procesit të raportimit në Sistemin Elektronik të Performancës Komunale, me qëllim që raportimi për vitin 2025 të jetë sa më i saktë, i plotë dhe gjithëpërfshirës.
Sipas kryetarit Xheladini, Komuna e Dragashit për disa vite me radhë ka qenë shembull suksesi në nivel vendi, duke u shpërblyer me Grantin e Performancës Komunale. Ai theksoi se ky rezultat është fryt i një pune të përkushtuar, koordinimit të mirë institucional dhe transparencës në qeverisje.
“Edhe këtë vit presim që, me angazhimin maksimal të Grupit Punues dhe të gjithë drejtorive komunale, të vazhdojmë me sukseset tona dhe të dalim sërish fitues”, ka deklaruar kryetari Xheladini.
Autoritetet komunale mbeten të përkushtuara që përmes performancës së lartë dhe raportimit korrekt të sigurojnë përfitime të reja për qytetarët e komunës.
— Dragash Info


