Lushtaku: Jap dorëheqje nëse PDK bën koalicion me VV-në
Kryetari i Degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga pozita e tij nëse Partia Demokratike e Kosovës arrin marrëveshje koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje. Sipas Lushtakut, bashkëpunimi me LVV-në është i papranueshëm për shkak të, siç tha ai, “gjuhës helmuese dhe degraduese” që kjo parti ka përdorur në skenën politike. “Nëse Partia Demokratike e Kosovës arrin marrëveshje ose lidh koalicion me LVV-në, unë automatikisht jap dorëheqje nga pozita e kryetarit të degës në Skenderaj. Ata e dinë më mirë, janë kryesia e partisë, por për mua është e papranueshme bashkëpunimi me një subjekt politik që gjuhën helmuese e ka në rend të parë”, është shprehur Lushtaku. Deklarata e tij vjen në kohën kur në opinion vazhdojnë diskutimet për mundësitë e krijimit të institucioneve dhe koalicioneve të reja politike në vend. /Dragash Info/